Pelegrinazh në Shijon / Besimtarë shqiptarë dhe sllavë nderojnë Shën Joan Vladimirin në Elbasan

Në Kishën e Shijonit në Elbasan është kremtuar Dita e Shën Joan Vladimirit, i njohur si dëshmor i paqes dhe i Orthodhoksisë në Shqipëri. Ceremonia ka mbledhur besimtarë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të rajonit, duke e kthyer festën në një pelegrinazh ndërkombëtar.
Në këtë ditë të shenjtë, në Shijon janë bashkuar besimtarë nga Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Italia dhe vende të tjera, duke e cilësuar figurën e Shën Joan Vladimirit si simbol të historisë dhe besimit të përbashkët.
“Është hera ime e parë këtu, por nga Mali i Zi vijnë shumë besimtarë çdo vit. Për ne kjo është një ditë shumë e veçantë dhe emocionale,” u shpreh një prej pjesëmarrësve.
Shërbesat e shenjta u kryesuan nga Mitropoliti i Elbasanit, Hirësi Andoni.
Shën Joan Vladimiri konsiderohet një nga figurat më të nderuara të Orthodhoksisë në Shqipëri, i cili kontribuoi në përhapjen e krishterimit dhe në ndërtimin e disa kishave, përfshirë edhe atë në Shijon të Elbasanit.
Ai u varros në kishën që vetë kishte ndërtuar në vitin 1015, ndërsa më 4 qershor nderohet si dëshmor i paqes, faljes dhe besës së krishterë, duke mbetur një figurë e rëndësishme për besimtarët ortodoksë.

