Puna hibride mund të rrisë vetminë e fshehur

Një studim i ri sugjeron se modeli i punës hibride, i konsideruar shpesh si zgjidhja ideale mes punës në zyrë dhe asaj nga shtëpia, mund të ketë pasoja të padukshme për shëndetin mendor të punonjësve.
Studiues nga banka qendrore e Nju Jorkut, “Harvard University” dhe “University of Virginia” analizuan të dhënat e dala nga 13 vjet sondazhe që përfshinin rreth gjysmë milioni persona.
Sipas studimit, të publikuar në revistën shkencore “Science”, punonjësit në profesione që mund të kryhen lehtësisht nga distanca, si programimi kompjuterik dhe marketingu, kalojnë më shumë kohë vetëm pas pandemisë së Covid-19, krahasuar me ata që punojnë në profesione që kërkojnë praninë fizike, si infermieria apo inxhinieria mekanike.
Studiuesit konstatuan se këta punonjës raportuan përkeqësim të mirëqenies mendore, përdorim më të madh të shërbimeve të shëndetit mendor dhe rritje të përdorimit të medikamenteve për probleme psikologjike.
Autorët e studimit theksojnë se kompanitë duhet të marrin parasysh ndikimin e izolimit social kur hartojnë politikat e punës në distancë. Ata sugjerojnë koordinimin e ditëve të punës në zyrë për punonjësit hibridë dhe krijimin e më shumë mundësive për ndërveprime joformale, edhe në mënyrë virtuale.
Sipas tyre, edhe vetë punonjësit mund të ndihmojnë duke zgjeruar aktivitetet dhe rrethin shoqëror jashtë vendit të punës.
Megjithëse sondazhe të tjera kanë treguar se puna hibride mbetet popullore dhe mund të përmirësojë produktivitetin, studiuesit paralajmërojnë se efektet negative të izolimit mund të grumbullohen gradualisht dhe të bëhen të dukshme vetëm pas një periudhe më të gjatë.
Për këtë arsye, ata u bëjnë thirrje kompanive dhe rregullatorëve që të përfshijnë çështjet e shëndetit mendor në hartimin e politikave për punën nga distanca dhe atë hibride.


