Ish ministri i LSI Nasip Naço njofton kalimin te Partia Socialiste.

Në ditën e Ujit të Bekuar, një festë e rëndësishme për beratasit, Naço u shfaq në krah të ministrit Blendi Klosi ku dhe zyrtarizoi kalimin te selia rozë.

 “Të ardhmen e shoh te PS”, është shprehur ndër të tjera ai.

“Sot në këtë ditë të shpreh qëndrimin tim që do të vazhdoj të jem në krah të të majtës progresiste. Berati e Shqipëria nuk ka nevojë për eksperimente politike.

Kam qenë pjesë e kabinetit qeveritar nga LSI. Kontributi ka qenë modest por përkushtimi ka qenë tepër i madh për të ecur përpara. Sot jam me zotin Klosi dhe do të jem në të ardhmen me zotin Klosi”, shprehet Naço.

Pse u larguat?

Shqipëria nuk ka nevojë më për eksperimente politike e njerëz që janë vasalë të dikujt tjetër por të përfaqësojë një pjesë të elektoratit në qarkun Beratit i cili është i papërfaqësuar dhe që kërkon që votat të shkojnë me të majtën progresiste“, u shpreh Nasip Naço.

Objektivi i PS-se 5 mandate

Nga ana tjetër, drejtuesi politik i PS për qarkun Berat, Blendi Klosi është shprehur se, në zgjedhjet e 25 Prillit mazhoranca synon 5 mandate në këtë qark.

Blendi Klosi: Berati është kantier pune. Po bëhen investime në të gjitha aspektet dhe kjo është një arsye më shumë që Beratit turistik të rivotojë PS dhe Edi Ramën.  Natyrisht me të gjithë mbështetjen e madhe që kemi edhe me mbështetjen e Nasip Naços të arrijmë objektivin tonë për 5 mandate në Berat.Transformimi është me Edi Ramën kryeministër.

Por drejtuesi i LSI-së në qarkun e Beratit, Ardit Cela e cilësoi “shoqëruesin e pestë të Blendi Klosit, ndërsa tha se në këtë qark LSI është forcë e parë.

Koencidencë apo e planifikuar… Në Berat ishte edhe vetë  Presidenti Ilir Meta, i cili vetëm pak metra larg shmangu komentet politike.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, në qarkun e Beratit PS fitoi 4 mandate, PD 1 dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 2 mandate. I pari i listës së LSI në këtë qark ishte pikërisht Nasip Naço, raporton Ora News.

Rezultatet e 2017-ës në qarkun e Beratit
Fituesit e LSI në Berat, 2017

/a.r,OraNews