Zjarri përfshin ullishtet në Drizë të Fierit, era e fortë vështirëson shuarjen e flakëve

Një sipërfaqe me ullishte është përfshirë nga flakët mesditën e së dielës në fshatin Drizë, në bashkinë Fier. Në zonë po vijon operacioni për vënien nën kontroll të zjarrit, ndërsa era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve.
Shërbimet zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë për shuarjen e zjarrit.
Operacionit u janë bashkuar edhe banorët e zonës, të cilët po ndërhyjnë me mjete rrethanore për të ndihmuar në frenimin e flakëve.
Zjarri ndodhet larg qendrës së banuar dhe deri tani nuk raportohet rrezik për banesat.
Megjithatë, ndërhyrja është vështirësuar nga terreni dhe mungesa e rrugëve që të çojnë drejt parcelave me ullinj, çka e bën të vështirë afrimin e mjeteve zjarrfikëse pranë vatrës së zjarrit.
Forcat në terren vijojnë punën për izolimin e flakëve dhe shmangien e përhapjes së tyre në sipërfaqe të tjera.


