Pas sulmit ndaj Komisariatit nr. 3/ Lamallari publikon PAMJET: Dh*na nisi në rrjetet sociale

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar pas sulmit ndaj Komisariatit nr. 3 në Tiranë, duke publikuar pamje nga ambientet e dëmtuara të godinës dhe duke dënuar aktet e dhunës ndaj Policisë së Shtetit.
Reagimit iu bashkua edhe kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili kërkoi identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve.
Në një postim publik, Lamallari e cilësoi sulmin si pasojë të një zinxhiri nxitjeje të urrejtjes, që sipas tij nisi me deklarata të papërgjegjshme, u përhap në rrjetet sociale dhe përfundoi me akte dhune ndaj institucionit të Policisë.
Ministri publikoi pamje nga brenda Komisariatit nr. 3, ku duken dëmet e shkaktuara në dyer, dritare dhe ambiente të tjera të godinës.
Sipas tij, ngjarja është shembull i përshkallëzimit të dhunës, e ushqyer nga retorika nxitëse dhe përhapja e saj në platformat sociale.
Reagim pati edhe Taulant Balla, i cili publikoi një video ku shfaqen persona të maskuar duke goditur me shkelma dyert dhe dritaret e komisariatit. Ai e cilësoi sulmin një akt të papranueshëm ndaj institucioneve shtetërore dhe kërkoi që autorët të identifikohen sa më shpejt dhe të përballen me drejtësinë.


