ZYRTARE/ Botërori 2030 do të zhvillohet në 3 kontinente dhe 6 shtete, Infantino: Unike
FIFA ka bërë zyrtar vendimin për Botërorin më unik në historinë e këtij aktiviteti. Edicioni i vitit 2030, i cili përkon me 100-vjetorin e aktivitetit të parë të këtij lloji, do të shtrihet në 3 kontinente dhe në 6 shtete,
FIFA bëri të ditur se organizimin e aktivitetit e ka fituar kandidatura e përbashkët e Spanjës, Portugalisë dhe Marokut. Por njëkohësisht, ndeshjet do të luhen edhe në Amerikën e Jugut, pasi Uruguai, Argjentina dhe Paraguai do të presin secila nga një ndeshje.
Gjithçka nis me një ndeshje në Montevideo, në Uruguai, ku u luajt edhe edicioni parë i një turneu të tillë.
“Në një botë të ndarë, FIFA dhe futbolli po bëhen bashkë”, theksoi presidenti Infantino. “Këshilli i FIFA-s, i cili përfaqëson të gjithë botën e futbollit, vendosi njëzëri të festojë në mënyrën më të përshtatshme njëqindvjetorin e Kupës së Botës, edicioni i parë i të cilit u luajt në Uruguai në vitin 1930. Prandaj, një festë do të zhvillohet në Amerikën e Jugut, më saktësisht në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai, të cilat do të organizojnë nga një ndeshje secila.
E para nga këto tre ndeshje do të luhet padyshim në stadiumin ku filloi gjithçka, në legjendarin “Estádio Centenário” në Montevideo, pikërisht për të festuar edicionin e njëqindvjetorit të Kupës së Botës.
Këshilli i FIFA-s gjithashtu ra dakord unanimisht që oferta e vetme për të pritur Kupën e Botës 2030 do të jetë kandidatura e përbashkët e Marokut, Portugalisë dhe Spanjës.
Dy kontinente – Afrika dhe Evropa – të bashkuara jo vetëm në një festë të futbollit, por edhe në sigurimin e një kohezion unik social dhe kulturor. Çfarë mesazhi i madh i paqes, tolerancës dhe përfshirjes.
Në vitin 2030, ne do të kemi një gjurmë unike globale, tre kontinente – Afrika, Evropa dhe Amerika e Jugut – gjashtë vende – Argjentina, Maroku, Paraguai, Portugalia, Spanja dhe Uruguai – do të mirëpresin dhe bashkojnë botën duke festuar së bashku lojën e bukur”, ishin fjalët e Infantinos pas vendimit.