United zyrtarizon largimin e 3 futbollistëve në merkato

Manchester United ka konfirmuar se Casemiro, Jadon Sancho dhe Tyrell Malacia do të largohen nga klubi në përfundim të sezonit, pasi kontratat e tyre skadojnë më 30 qershor 2026 dhe nuk do të rinovohen.
Lajmi është bërë zyrtar nga klubi anglez përmes një komunikate, ku falënderohen tre futbollistët për kontributin e dhënë gjatë viteve të tyre në “Old Trafford”.
Casemiro mbyll aventurën e tij katërvjeçare me fanellën e Manchester United. Mesfushori brazilian regjistroi 160 paraqitje dhe shënoi 26 gola, duke qenë një nga protagonistët kryesorë në triumfin e ekipit në EFL Cup 2023. Ai realizoi një gol vendimtar në finalen ndaj Newcastle dhe më pas shtoi në palmares edhe triumfin në FA Cup 2024.
Edhe Malacia largohet pas katër sezonesh në Manchester. Mbrojtësi i majtë, i transferuar në vitin 2022, zhvilloi 50 ndeshje me ekipin e parë, por periudha e tij në Angli u kushtëzua ndjeshëm nga dëmtimet. Gjatë sezonit të fundit ai u aktivizua vetëm në tre takime, megjithëse ishte pjesë e skuadrës që fitoi Kupën e Ligës në vitin 2023.
Ndërkohë, Sancho i jep fund një aventure të nisur në vitin 2021. Anësori anglez zhvilloi 83 ndeshje me Manchester United, përpara se të kalonte në formë huazimi te Borussia Dortmund, ndërsa më pas pati eksperienca të përkohshme edhe te Chelsea FC dhe Aston Villa.


