Trajneri i Kroacisë sulmon FIFA-n: Nuk duan që ne të arrijmë sërish në fazat finale të Botërorit

Trajneri i kombëtares së Kroacisë, Zlatko Dalić, ka lëshuar akuza të forta ndaj FIFA-s pas eliminimit të skuadrës së tij nga Kupa e Botës 2026, duke pretenduar se institucioni më i lartë i futbollit botëror nuk dëshiron që kroatët të arrijnë sërish në fazat vendimtare të turneut.
Në një intervistë për televizionin publik kroat HRT, Dalić u ndal te humbja e diskutueshme ndaj Portugalisë në fazën e 1/16-ave, duke kritikuar ashpër arbitrimin dhe përdorimin e sistemit VAR.
“Shikoni atë ndeshje. Kishte katër ose pesë faulle ndaj Ante Budimirit, të gjitha të njëjta. Mbrojtësi qendror i Portugalisë e kapte me duar dhe e rrëzonte, por asnjë nuk u akordua. Nuk u dha penallti për ne, ndërsa më pas ndërhyri VAR-i. Nikola Vlašić nuk po tërhiqte askënd, ai vetëm përdori krahët për të mbrojtur topin. Nuk kishte intensitet që të justifikonte një penallti dhe jam i bindur se, po të mos ishte narrativa kundër Kroacisë, ai rast nuk do të ishte rishikuar fare,” deklaroi Dalić.
Tekniku kroat tha se prej kohësh ka ngritur shqetësime për mënyrën se si trajtohet Kroacia brenda FIFA-s.
“Prej disa vitesh kam folur për statusin që ka Kroacia në FIFA, por nuk kam marrë asnjë mbështetje. Tani, me të gjitha këto vendime, kartonin e kuq dhe gjithçka që ndodhi, besoj se është vërtetuar ajo që kam thënë. Madje kam qenë i vetmi trajner kombëtareje në botë që për disa vite refuzova të votoja në çmimet e FIFA-s, si formë proteste. As kjo nuk u prit mirë,” u shpreh ai.
Dalić bëri edhe deklaratën më të fortë të intervistës, duke pretenduar se sukseset e Kroacisë në Botëror nuk janë parë me sy të mirë.
“Ne i bezdisim. Ua kemi prishur festën dy herë dhe nuk kishte asnjë mundësi që të na lejonin ta bënim për herë të tretë. Kjo është e vërteta. Sigurisht, ne duhej të kalonim grupin dhe Portugalinë, gjë që nuk e bëmë, dhe kjo është përgjegjësia jonë. Por është e qartë se nuk jemi të mirëpritur dhe nuk do ta lejojnë Kroacinë të shkruajë atë histori për herë të tretë radhazi,” tha ai.
Kroacia u eliminua në mënyrë dramatike ndaj Portugalisë. Në minutën e 13-të shtesë, kroatët menduan se kishin barazuar rezultatin në 2-2, por goli u anulua pasi sensori elektronik brenda topit konstatoi se Igor Matanović kishte prekur topin para se ai të shkonte te Mario Pašalić, i cili ndodhej në pozicion jashtë loje.
Ky vendim shkaktoi reagime të shumta në kampin kroat, ndërsa deklaratat e Dalić pritet të nxisin debat të gjerë në prag të vazhdimit të fazës finale të Kupës së Botës 2026.


