Trump pas takimit me Zelenskyn: SHBA do t'i japë Ukrainës licencën për prodhimin e raketave Patriot

Trump pas takimit me Zelenskyn: SHBA do t'i japë Ukrainës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, zhvilluan një takim dypalësh në margjinat e samitit në Ankara, ku në qendër të bisedimeve ishte forcimi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës. Pas takimit, Trump bëri të ditur se SHBA do t'i japë Kievit licencën për prodhimin e raketave Patriot.

Trump njoftoi se me Zelenskyn diskutoi prodhimin e sistemeve Patriot dhe bashkëpunimin me kompaninë që i prodhon ato.

"Tani do të diskutojmë prodhimin e Patriot me Zelenskyn dhe kompaninë që i prodhon ato. Gjithashtu do t'i licencojmë ato për Kievin", u shpreh presidenti amerikan.

Ai komentoi edhe sulmet e Ukrainës ndaj territorit rus, duke i cilësuar si një përshkallëzim të situatës, por shtoi se ato mund të ndikojnë në arritjen e një marrëveshjeje për përfundimin e luftës.

Sipas Trump, nuk ka një afat të përcaktuar për mbylljen e konfliktit, por një marrëveshje mund të arrihet së shpejti.

Presidenti amerikan foli edhe për presidentin rus, Vladimir Putin, duke treguar se kishte marrë një ftesë për të vizituar Moskën.

"Putini më kërkoi të shkoja në Moskë, por nuk e di. Është e vështirë për shkak të dronëve ukrainas", tha ai.

Trump foli edhe për marrëdhënien me presidentin ukrainas, duke vlerësuar se ajo është përmirësuar ndjeshëm pas përplasjes së tyre në Zyrën Ovale vitin e kaluar.

Nga ana e tij, Zelensky falënderoi Shtetet e Bashkuara për mbështetjen ushtarake dhe shprehu besimin se Trump do të bëjë gjithçka që është e mundur për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.

EMISIONET