Shakira ngushëllon Kolumbinë pas eliminimit nga Botërori: Lotët e Luis Diaz janë lotët e të gjithë neve

Këngëtarja e njohur kolumbiane, Shakira, ka reaguar pas eliminimit të Kolumbisë nga Kupa e Botës 2026, duke i kushtuar një mesazh emocionues kombëtares së vendit të saj pas humbjes me penallti ndaj Zvicrës në fazën e 1/8-ave.
Përmes një postimi në Instagram, artistja, autore e këngës zyrtare “Dai Dai” të Botërorit 2026, vlerësoi përkushtimin e futbollistëve kolumbianë gjatë gjithë turneut.
“Kombëtarja ime e luajti këtë Botëror me një përkushtim që na bën të gjithëve krenarë. Ne dhamë gjithçka dhe është e qartë se Zoti nuk ndërhyn në futboll, përndryshe do të ishim kualifikuar në çerekfinale,” shkroi Shakira.
Artistja ndau edhe një mesazh të veçantë për sulmuesin Luis Díaz, i cili u pa duke qarë pas eliminimit të Kolumbisë.
“Lotët e Luchos janë lotët e secilit prej nesh, të çdo kolumbiani që bërtet, emocionohet, këndon dhe feston çdo hap të kombëtares sonë. Edhe pse ky rezultat nuk përmbush ëndrrat tona, dua ta falënderoj me gjithë zemër këtë grup luftëtarësh që na përfaqësuan në mënyrën më të mirë dhe na bënë krenarë,” u shpreh ajo.
Kolumbia e mbylli aventurën në Kupën e Botës 2026 në fazën e 1/8-ave, pas një dueli të fortë me Zvicrën që u vendos vetëm nga goditjet e penalltive.


