"Stadiumi bosh flet më shumë se rezultati"/ Gorea: Tifozët po i kthejnë shpinën Kombëtares shqiptare
I ftuar në emisionin "Ora Sport" në Ora News, Kristi Gorea komentoi interesin e tifozëve për Kombëtaren shqiptare dhe paraqitjet e fundit të skuadrës, duke e lidhur pjesëmarrjen e ulët në stadium me pakënaqësinë e krijuar rreth ekipit.
Sipas Goreas, mungesa e tifozëve në dy ndeshjet e fundit nuk mund të konsiderohet thjesht rastësi, por një tregues i qartë i nivelit të interesit që ka aktualisht publiku për Kombëtaren.
"Edhe stadiumi reflektoi që nuk kishte shumë interes për Kombëtaren në këto dy ndeshje. Duke pasur parasysh edhe ngjarjet e aktualitetit të kësaj jave, kjo u pa qartë në shkallët e stadiumit."-u shpreh Gorea.
Gorea u ndal edhe te cilësia e lojës së shfaqur në fushë, duke vlerësuar se skuadra nuk arriti të prodhojë momente që të mbeten në vëmendjen e tifozëve për arsye sportive.
"Nëse nga dy ndeshjet e Kombëtares episodi që komentohet më shumë është ai mes Hysajt dhe lojtarit të Izraelit, atëherë kuptohet se sa pak ka prodhuar skuadra në aspektin e lojës dhe spektaklit."-u shpreh ai.
Analisti sportiv u shpreh se ekipi ka nevojë për përmirësim të formës sportive në ndeshjet e ardhshme, ndërsa ngriti pikëpyetje edhe për perspektivën e stafit aktual teknik.
Sipas tij, krahasimet me periudhën e Sylvinhos janë të pashmangshme dhe situata aktuale po hap diskutime mbi mundësinë që në të ardhmen të konsiderohen edhe trajnerë shqiptarë si alternativa për drejtimin e ekipit përfaqësues.


