“Dy ndeshje fotokopje”/ Lika kritikon Maran: Shqipëria po humbet forcën sulmuese
I ftuar në emisionin "Ora Sport" në Ora News, gazetari sportiv Rozalb Lika analizoi paraqitjet e fundit të Kombëtares shqiptare, duke shprehur shqetësim për mënyrën se si skuadra është shfaqur në ndeshjet e para nën drejtimin e trajnerit të ri.
Sipas Likës, sfidat ndaj Izraelit dhe Luksemburgut treguan një ekip pa identitet të qartë në fazën sulmuese dhe me vështirësi për të kontrolluar ritmin e lojës.
"Ndeshja me Izraelin dhe ajo me Luksemburgun ishin thuajse fotokopje e njëra-tjetrës. Skuadra jonë tentonte shumë pak në lojën sulmuese dhe pothuajse e linte kundërshtarin të bënte lojën e vet."-tha ai.
Gazetari sportiv bëri krahasimin me periudhën kur Kombëtarja drejtohej nga Sylvinho, duke vlerësuar se ekipi shfaqte më shumë agresivitet dhe organizim në fushë.
Ai u shpreh se starti i trajnerit të ri nuk ka dhënë sinjalet e pritura dhe se kjo situatë ngre pikëpyetje për ecurinë e skuadrës në ndeshjet e ardhshme.
"Mendoj që nisja që ka bërë trajneri ynë është tejet e dobët dhe kjo mund të tregojë edhe për atë që na pret në të ardhmen. Mund të vijë Muçi apo futbollistë të tjerë cilësorë, por duket se ekipi ka vështirësi të përshtatet me grupin dhe idetë e trajnerit të ri."-u shpreh gazetari.
Sipas Likës, përforcimet individuale mund të rrisin konkurrencën në skuadër, por sfida kryesore mbetet krijimi i një identiteti loje dhe rikthimi i besimit brenda grupit përpara sfidave të ardhshme ndërkombëtare.


