“Me valixhe në dorë”/ Ruço kritikon Kombëtaren: Lojtarët e kishin mendjen te pushimet
I ftuar në emisionin "Ora Sport" në Ora News, analisti sportiv Edmond Ruço komentoi paraqitjen e Kombëtares në dy ndeshjet e para nën drejtimin e trajnerit të ri, duke ngritur pikëpyetje mbi zgjedhjet taktike dhe menaxhimin e lojtarëve të rinj.
Sipas Ruços, stafi teknik kishte mundësinë ideale për të eksperimentuar dhe për të krijuar alternativa të reja në ekip, por kjo nuk ndodhi në masën e pritur.
Ai u ndal te aktivizimi i lojtarëve të rinj, si Meti dhe mesfushori i Juventusit, Luis Hasa, të cilët u provuan fillimisht, por më pas nuk gjetën hapësirë në vazhdim.
"Trajneri i kishte të gjitha mundësitë për të sjellë risi në Kombëtare. Tentoi me Metin dhe Luis Hasën, por mbeti si një flluskë sapuni. I nxori në pjesën e dytë dhe më pas nuk i përdori fare në ndeshjen tjetër."-tha ai.
Ruço u shpreh kritik edhe për qasjen e skuadrës në fushë, duke e cilësuar ekipin pa energjinë dhe agresivitetin e nevojshëm për të imponuar lojën ndaj kundërshtarëve.
"Pashë një Kombëtare apatike, një Kombëtare me valixhe në dorë. Dukej sikur lojtarët e kishin mendjen te pushimet dhe jo te loja. Nuk u përdor as blloku i ulët, as i mesëm dhe as ai i lartë. Kundër Luksemburgut duhej të shihnim një presing agresiv, sepse nëse nuk e përdor ndaj këtyre ekipeve, lind pyetja se kur do ta përdorësh."-u shpreh Ruço.


