Scaloni para Botërorit: Duam të kujtohemi si Argjentina që nuk u dorëzua kurrë

Lionel Scaloni, trajneri i Argjentinës, dëshiron që skuadra e tij të kujtohet si ajo “që nuk u dorëzua kurrë”, e shtyrë nga “pasioni” që frymëzon këtë komb të çmendur pas futbollit, deklaroi ai në prag të çerekfinales së Botërorit ndaj Zvicrës. Albiceleste iu afrua eliminimit në rrugëtimin drejt titullit në vitin 2022 në Katar dhe, katër vjet më vonë, përjetoi momente të mëdha ankthi kundër Kepit të Gjelbër (3-2 pas kohës shtesë) dhe Egjiptit (i mundur 3-2 pasi kryesonte 2-0), përpara se të arrinte në çerekfinale në Kansas City.
“Do të doja që kjo skuadër të kujtohej si një skuadër që nuk u dorëzua kurrë”, tha Scaloni në konferencën për shtyp para ndeshjes. “Kjo është trashëgimia që duam të lëmë”. “Ndoshta në nivel klubesh është ndryshe – vijoi ai – por kur bëhet fjalë për kombëtaren argjentinase, gjithçka ka të bëjë me pasionin.
Qëllimi është të luash me të njëjtin pasion që kishe kur ishe gjashtë apo shtatë vjeç, kur luaje në rrugë dhe nuk doje të humbisje asnjë top”. Në detyrë që nga viti 2018 fillimisht si trajner i përkohshëm, ish-ndihmësi i Jorge Sampaolit e ka shndërruar ekipin në një makineri fitoresh, me dy Kupa të Amerikës (2021 dhe 2024) dhe Kupën e Botës 2022.
FIFA po akuzohet se po favorizon Argjentinën në Botëror: të gjitha teoritë konspirative
9 Korrik, 09:43
“La Scaloneta”, siç e quajnë argjentinasit kombëtaren e tyre, do të përballet me një Zvicër “shumë të mirë”, që “luan gjithmonë” dhe ka lojtarë “me përvojë, të fortë fizikisht dhe atletikë”. “Sidoqoftë, ky kundërshtar do të na vërë në vështirësi”, deklaroi trajneri 48-vjeçar.
Scaloni kritikoi gjithashtu mediat që e kanë përshkruar Lionel Messin si një lojtar më të ngadaltë se më parë, me shpërthime më të rralla dhe më pak të shpejta. “Duhej të na kërkoje falje neve dhe Leos”, i tha ai një gazetari. “Nëse i referohesh paraqitjes së tij fizike, Leo përshkon pothuajse gjithmonë të njëjtat distanca gjatë ndeshjeve.
Nuk vrapon as më shumë e as më pak; jep paraqitje të qëndrueshme”. “Në moshën 39-vjeçare, disa mendojnë se nuk është më në maksimumin e tij. Për momentin ai është më i miri dhe, për sa kohë ta dëshirojë – dhe nuk e them këtë sepse jam trajneri i tij në kombëtare – do të vazhdojë të jetë i tillë”.
Sa u përket penalltive, “nuk do të më shkonte kurrë në mendje t’i thosha të mos gjuante më një tjetër. Kemi lojtarë të aftë për t’i ekzekutuar, por nëse dëshiron ta bëjë, do ta bëjë dhe nëse nuk dëshiron, është zgjedhja e tij. Ta lëmë të bëjë çfarë të dojë në fushë”, shtoi trajneri.
Dhe për Spanjë-Francë si “finale e parakohshme”, Scaloni iu përgjigj kështu yllit të Furive të kuqe, Yamal: “Jam dakord. Nuk besoj se e ka gabim. Që para Botërorit thoshim se ishin ndër favoritët. Spanja e meritonte ta mposhtte Belgjikën më herët. Franca bëri një hap përpara kundër Marokut. Por fatkeqësisht vetëm njëra prej tyre do të arrijë në finale”.

