Portugalia ndahet me Roberto Martinezin pas zhgënjimit në Botëror

Portugalia ndahet me Roberto Martinezin pas zhgënjimit në Botëror

Roberto Martinez nuk është më trajner i kombëtares së Portugalisë. Federata Portugeze e Futbollit ka zyrtarizuar përfundimin e bashkëpunimit me teknikun spanjoll, pak ditë pas eliminimit të skuadrës nga Spanja në Botëror.

Në njoftimin zyrtar, Federata bëri të ditur se marrëdhënia kontraktuale me Martinezin dhe stafin e tij ka përfunduar këtë të mërkurë.

"Federata Portugeze e Futbollit njofton se këtë të mërkurë marrëdhënia kontraktuale me trajnerin e ekipit kombëtar, Roberto Martinez, dhe stafin e tij përfundoi zyrtarisht."

Në të njëjtin reagim, Federata falënderoi trajnerin për punën e bërë gjatë tre viteve e gjysmë në drejtimin e kombëtares.

"Federata falënderon Roberto Martinez dhe stafin e tij për profesionalizmin dhe përkushtimin që kanë demonstruar gjatë tre viteve e gjysmë të fundit, një periudhë e shënuar nga fitimi i Ligës së Kombeve 2025, por edhe për angazhimin me të cilin e kanë përqafuar projektin dhe për respektin e treguar ndaj vendit dhe futbollit portugez."

Martinez mori drejtimin e Portugalisë në fillim të vitit 2023 dhe gjatë mandatit të tij udhëhoqi skuadrën drejt fitimit të Ligës së Kombeve në vitin 2025. Megjithatë, eliminimi në Botëror solli fundin e bashkëpunimit mes palëve.

EMISIONET