Franca përdori avionët e kompanisë që kryen deportimet e emigrantëve për administratën Trump

Franca përdori avionët e kompanisë që kryen deportimet e

Kombëtarja franceze e futbollit ka përdorur për udhëtimet e saj një kompani charter avionësh që është në qendër të fushatës së deportimeve masive të administratës Trump në Shtetet e Bashkuara, sipas një investigimi të publikuar nga The Guardian.

Sipas të dhënave të gjurmimit të fluturimeve dhe pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, ekipi i Francës ka përdorur kompaninë Global Crossing Airlines (GlobalX) për të paktën tre fluturime të brendshme gjatë lëvizjeve mes ndeshjeve të Kupës së Botës dhe bazës së tij stërvitore në Boston.

E njëjta kompani ka operuar më shumë se gjysmën e fluturimeve të largimit të emigrantëve të kryera nga agjencia amerikane e emigracionit dhe doganave (ICE) gjatë viteve 2024 dhe 2025.

Një hetim i mëparshëm i The Guardian mbi programin e deportimeve të administratës Trump zbuloi se GlobalX është përdorur për transportimin e mijëra personave të ndaluar, brenda SHBA-së dhe drejt vendeve të tjera, shpesh pa njoftim paraprak dhe larg familjeve, komuniteteve dhe përfaqësuesve të tyre ligjorë.

Disa prej të deportuarve kanë deklaruar se nuk u ishte bërë e ditur destinacioni i fluturimit, ndërsa të tjerë kanë raportuar se janë transportuar me pranga në duar dhe këmbë. Një pjesë e fluturimeve të kompanisë kanë pasur destinacion edhe burgun famëkeq Cecot në El Salvador.

Sipas të dhënave të siguruara nga organizata ICE Flight Monitor, avioni me të cilin udhëtoi kombëtarja franceze pas ndeshjes ndaj Paraguajit ka kryer 44 fluturime të lidhura me deportimet vetëm gjatë këtij viti dhe rreth 950 të tilla që nga viti 2022.

Avioni i përdorur nga Franca më 4 korrik ishte përdorur vetëm pak ditë më herët për transferimin e emigrantëve të ndaluar nga një qendër paraburgimi në Arizona drejt Luizianës.

“Është e zakonshme që disa kompani ajrore të alternojnë fluturimet për ICE me fluturime private charter për subjekte të tjera, përfshirë ekipe sportive, brenda së njëjtës javë ose edhe në të njëjtën ditë”, tha Sierra Randolph, menaxhere e të dhënave pranë ICE Flight Monitor.

Hetimi nisi pasi një video e publikuar në Instagramin zyrtar të kombëtares franceze tregonte lojtarët, mes tyre edhe sulmuesin e Bayern Munich, Michael Olise, duke hipur në avion pas fitores 1-0 ndaj Paraguait. Në pamje shihej logoja e GlobalX në një ndarje sipër sediljeve.

Analiza e të dhënave të avionit në platformën Flightradar24 konfirmoi se një Airbus u nis nga aeroporti ndërkombëtar i Filadelfias më 5 korrik dhe mbërriti në Boston Logan rreth një orë më vonë. Ekspertët e ICE Flight Monitor e identifikuan avionin si një mjet që ishte monitoruar më parë në fluturime të lidhura me zbatimin e ligjit të emigracionit.

Çështja ka marrë vëmendje të veçantë për shkak të qëndrimeve politike të disa prej yjeve të Francës, veçanërisht kapitenit Kylian Mbappé, i cili ka folur hapur kundër forcave të ekstremit të djathtë në Francë.

Mbappé, me origjinë kamerunase nga babai dhe algjeriane nga nëna, ka kritikuar disa herë rritjen e partive të ekstremit të djathtë dhe në vitin 2024 i cilësoi rezultatet e National Rally si “katastrofike”, duke u bërë thirrje të rinjve francezë të mos lejojnë që vendi të “bjerë në duart e këtyre njerëzve”.

Edhe lojtarë të tjerë të kombëtares franceze, si Ousmane Dembélé, Jules Koundé dhe Marcus Thuram, kanë shprehur më parë qëndrime kundër ekstremit të djathtë.

Kombëtarja franceze nuk është e vetmja skuadër që ka përdorur avionë të GlobalX gjatë këtij turneu. Sipas raportimeve të mediave britanike, edhe kombëtarja e Anglisë dhe ajo e Iranit kanë përdorur shërbimet e kompanisë charter.

 

EMISIONET