Pas muajsh presioni, Leclerc fiton në Silverstone: Kohët e këqija nuk zgjasin përgjithmonë

Pas muajsh presioni, Leclerc fiton në Silverstone: Kohët e këqija

Sharl Lëklerk i dha fund një periudhe të vështirë duke siguruar fitoren e parë të sezonit në Çmimin e Madh të Britanisë. Piloti i Ferrarit la pas kritikat që e kishin shoqëruar në javët e fundit dhe i dha skuadrës nga Maranelo një sukses që forcon besimin për vazhdimin e kampionatit.

Lëklerk e ndërtoi fitoren që nga fundjava e Silverstonit. Fillimisht mposhti shokun e skuadrës, Luis Hamilton, në kualifikime, ndërsa në garë mori kryesimin pas nisjes së dobët të Andrea Kimi Antonelit, i cili ishte nisur nga "pole position". Problemet teknike në makinën Mercedes i hapën rrugën pilotit monegask drejt triumfit të parë që prej garës së Shteteve të Bashkuara në vitin 2024.

"Më në fund!", ishte reagimi i parë i Lëklerkut në radion e skuadrës pasi kaloi vijën e finishit.

"Kjo fitore më bën veçanërisht të lumtur. Do të doja që fundi të ishte më normal, por puna e palodhur dha rezultat. Kohët e këqija nuk zgjasin përgjithmonë", tha piloti i Ferrarit.

Edhe pse kishte siguruar podiume në Australi dhe Japoni, mungesa e fitoreve kishte shtuar presionin mbi 28-vjeçarin, i cili pranoi se kohët e fundit kishte ndjerë shumë negativitet rreth vetes.

"Krijohen narrativa dhe nuk është kurrë një ambient i lehtë për të punuar. Mbajta kokën ulur dhe vazhdova të punoja. Jam krenar për ekipin që më ndihmoi të rikthej ndjesinë e duhur me makinën", u shpreh ai.

Lëklerk tregoi se ka zgjedhur të mos ndikohet nga komentet jashtë pistës.

"Përpiqem të mos e kontrolloj telefonin dhe të përqendrohem te gjërat që kanë rëndësi. Në këtë sport kalon nga hero në fajtor dhe anasjelltas brenda pak ditësh. E dija se nuk isha bërë pilot i keq brenda natës", tha ai.

Piloti i Ferrarit pranoi se sfidat me makinën nuk kanë përfunduar dhe se objektivi mbetet përmirësimi i vazhdueshëm.

"Kam pasur shumë vështirësi me këtë makinë dhe nuk mund të mendoj se gjithçka është zgjidhur. Do të vazhdoj të punoj për të gjetur të njëjtën ndjesi edhe në garat e ardhshme. Nuk do të përqendrohem vetëm te fitoret, por te procesi dhe te nxjerrja e maksimumit nga makina", përfundoi Lëklerk.

Fitorja në Silverston nuk ndryshon plotësisht sezonin e Ferrarit, por i jep skuadrës dhe pilotit një shtysë të rëndësishme për garat në vazhdim.

EMISIONET