“Po shkojmë nga dështimi në dështim”/ Spahiu: Futbolli shqiptar po humbet brezin e ri
I ftuar në emisionin "Ora Sport" në Ora News, Ekrem Spahiu komentoi situatën e futbollit shqiptar dhe sfidat që lidhen me zhvillimin e talenteve vendase, duke ngritur shqetësime për ndikimin që mund të ketë kjo në të ardhmen e Kombëtares.
Sipas Spahiut, një nga problemet kryesore lidhet me hapësirat e kufizuara për futbollistët e rinj shqiptarë në kampionatin vendas, në një kohë kur klubet po mbështeten gjithnjë e më shumë te lojtarët e huaj.
"Si pretendojmë që Kombëtarja të rritet kur në Superligë krijohen hapësira që të luajnë kaq shumë futbollistë të huaj? Shumica e lojtarëve të Kombëtares nuk janë produkt i drejtpërdrejtë i futbollit shqiptar, por i familjeve që kanë sakrifikuar dhe i kanë rritur në vendet perëndimore."-tha ai.
Spahiu u ndal edhe te politikat që, sipas tij, duhet të nxisin aktivizimin e elementit të ri në kampionatin shqiptar. Ai kujtoi se më herët ekzistonin rregulla që favorizonin futbollistët e rinj, ndërsa sot klubet nuk kanë detyrime të ngjashme.
Sipas tij, mungesa e hapësirave për talentet vendase mund të sjellë pasoja në vitet e ardhshme për ekipet kombëtare.
"Kjo është një kambanë alarmi për futbollin shqiptar. Nëse nuk krijohen mundësi për lojtarët e rinj, pasojat do të reflektohen te Kombëtarja. Po aq e rëndësishme është që trajneri të ketë liri të plotë në përzgjedhjen e lojtarëve dhe të mos ketë asnjë ndërhyrje në vendimmarrjen e tij."-u shpreh ai.
Spahiu vlerësoi se përzgjedhja e futbollistëve duhet të bëhet vetëm mbi bazën e formës sportive dhe meritës, pavarësisht kampionatit ku aktivizohen.
Ai ngriti gjithashtu pyetjen se sa lojtarë nga kampionati shqiptar janë aktualisht të gatshëm për të përballuar nivelin e Kombëtares.


