Gazetarja Haxhiaj zbulon krizën e fshehur të Kombëtares, nga Broja që humbi 20 mln euro vlerë te Bajrami që mbeti jashtë planeve
E ftuar në emisionin "Ora Sport" në Ora News, gazetarja sportive Mirela Haxhiaj analizoi situatën e futbollistëve të Kombëtares shqiptare, duke u ndalur te mungesa e minutazhit, rënia e formës sportive dhe ndikimi që kjo po ka te përfaqësuesja kuqezi.
Sipas Haxhiajt, një pjesë e mirë e lojtarëve që ishin titullarë të rëndësishëm në fillimet e periudhës së Sylvinhos po kalojnë momente të vështira në klubet e tyre, duke humbur vazhdimësinë në aktivizim.
"Ke lojtarë si Nedim Bajrami që kur erdhi Sylvinho luante rregullisht te Sassuolo, ndërsa tani nuk po gjen hapësira te Rangers. Edhe Asllani ka ndryshuar realitet, nga Serie A ka kaluar në kampionatin turk dhe nuk ka më të njëjtin rol që kishte më parë."-tha ajo.
Gazetarja u ndal edhe te rënia e vlerës së disa prej futbollistëve kryesorë të Kombëtares, duke marrë si shembull Armando Brojën, i cili sipas saj po kalon një periudhë të vështirë pas dëmtimeve dhe mungesës së vazhdimësisë.
Ajo vlerësoi se përgjegjësia nuk mund të bjerë vetëm mbi trajnerin e ri, pasi forma sportive ndërtohet gjatë gjithë sezonit në klubet ku aktivizohen lojtarët.
"Nuk mund ta gjykojmë vetëm trajnerin. Ai ka pak kohë në dispozicion me ekipin dhe nuk mund të ndryshojë gjithçka me magji. Lojtarët duhet të gjejnë më shumë hapësira në klubet e tyre, madje edhe të ndryshojnë skuadër nëse nuk po luajnë."-u shpreh gazetarja.
Në analizën e saj, Haxhiaj komentoi edhe situatën e Mario Mitajt, duke e cilësuar mbrojtësin si një nga futbollistët më premtues teknikisht të Kombëtares. Sipas saj, aktivizimi i kufizuar në Arabinë Saudite po ndikon negativisht në ritmin e tij sportiv.
Ajo hodhi poshtë edhe zërat e ditëve të fundit për një interesim të Romës për Mitajn, duke sqaruar se, sipas informacioneve të marra nga njerëz pranë lojtarit, nuk ka pasur asnjë kontakt apo ofertë konkrete nga klubi italian.
Sipas Haxhiajt, rikthimi i nivelit konkurrues të Kombëtares lidhet ngushtë me minutazhin dhe formën e lojtarëve në klubet e tyre, ndërsa sfida kryesore mbetet gjetja e vazhdimësisë për futbollistët që përbëjnë bazën e ekipit kuqezi.


