Përleshen femrat në Partizani-Tirana, Korab Llazani zbulon masat që do të marrë FSHB

Ngjarja skandaloze në derbin e koshit ndërmjet Partizanit dhe Tiranës, për llogari të gjysmëfinales së dytë të play-offit, shokoi opinionin në vend.
Duhet të ishte një festë sportive, por në fund kryefjalë ishin grushtat dhe shkelmat ndërmjet femrave të Partizanit dhe Tiranës.
Skena të frikshme dhe të turpshme dhune dhe për më tepër vin nga femrat.
Lidhur me këtë ngjarje të shëmtuar sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, dha një intervistë për emisionin “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora News” dhe moderohet nga Drilon Xhepollari.
Dhuna – “Të vjen keq që në një ndeshje të tillë si ajo mes Partizanit dhe Tiranës të ndodh një shfaqje e tillë. Masat organizative nuk kanë qenë në nivelin e duhur. Ndoshta ka pasur një lloj nënvlerësimi. Ne po përgatisim raportet për këtë situatë dhe do të ketë një mbledhje të komitetit drejtues të Federatës. Vendimi do të merret atje dhe nuk mund të flas para kohe”.
Mungesa e Policisë – “Policia duhej të ishte aty afër, por gjithsesi nuk mund të ishin në numër për ta përballuar këtë situatë. Për më tepër që çdo gjë ka shpërthyer në fare pak kohë, papritur, teksa sportistet po i jepnin duart njëra-tjetrës. Ne do të zbatojmë çdo pikë të rregullores, për këtë duhet të jeni të sigurt. Ne duam luftë sportive, jo dhunë. Ne duam që të afrojmë njerëzit në pallatin e sportit dhe kërkojmë që skena të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen".
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

