Mazhoranca rrëzon me 82 vota kundër kërkesën e PD për Territoriale/ Berisha: Do të ngremë qytetarët në kryengritje
Me 82 votat kundër të mazhorancës dhe vetëm 27 vota pro të opozitës, u rrëzua kërkesa e PD që të zgjatej me 3 muaj afati për komisionin e reformës territoriale.
Sali Berisha akuzoi mazhorancën se po vepron në mënyrë të njëanshme, pasi raportet si të opozitës dhe mazhorancës nuk janë diskutuar në komisione. Berisha tha se do të ngrejnë qytetarët në kryengritje.
“Në këtë komision është bërë nga pala jonë puna më serioze dhe është konkretizuar në një raport prej 400 e ca faqesh, në përputhje me axhendën e përbashkët janë organizuar dhjetëra konsulta, axhenda e përbashkët kishte vazhdimin me konsulta të tjera raporti që pretendoni të paraqisni sot është i paligjshëm. Nuk është miratuar në komisionin parlamentar dhe në praktikën dhjetëra vjeçare komisionet bipartizan kanë shtyrë sa herë ka qenë e nevojshme afatet. Ju paraqiteni me një raport që nuk është paraqitur në komisionin e reformës, ky është brutalitet, ky është një akt që ju do të doni me çdo kusht të largoni pushtetin nga qytetarët. Sa kohë ky raporti jonë nuk është i debatuar në komision, ne nuk e dorëzojmë. Duhet të dyja raportet të paraqiten në komision, të debatohen pastaj të vijnë në kuvend. Po ju nuk keni ligj, as normë as moral. Ne do bëjmë gjithçka që qytetarët të ngrihen në kryengritje kundër jush në mënyrë që të bëjmë drejtësinë që i takon”, tha Berisha.

