“Nuk ka surpriza”/ Delia: Favoritët po konfirmojnë pritshmëritë, Franca dhe Anglia po japin tonin e Botërorit
I ftuar në emisionin “Ora e Botërorit”, specialisti i futbollit Bashkim Delia analizoi ecurinë e ndeshjeve të para të Kampionatit Botëror, duke vlerësuar se skuadrat favorite kanë konfirmuar pritshmëritë e krijuara para nisjes së turneut.
Sipas tij, rezultatet e deritanishme kanë treguar se ekipet më të forta po arrijnë të imponojnë lojën dhe të marrin rezultatet që priteshin nga specialistët dhe tifozët.
"Për çdo ndeshje, pavarësisht rasteve të veçanta si Portugalia me Kongon, në këto ndeshjet e para pothuajse ekipet fituese kanë qenë ato që ne i konsiderojmë favorite. Franca, Anglia dhe shumë skuadra të tjera që ne parashikojmë se do të japin tonin e Kampionatit Botëror, kanë marrë rezultatet e pritshme që specialistët e futbollit i mendonin që në fillim."-tha Delia.
Delia vlerësoi se faza e parë e turneut ka konfirmuar diferencat mes skuadrave pretendente dhe pjesës tjetër të ekipeve në garë. Sipas tij, Franca, Anglia dhe disa kombëtare të tjera të mëdha po japin sinjalet e para se do të jenë protagonistet kryesore në rrugën drejt fazave vendimtare të Botërorit.

