Nga fusha "topi" i kalon diplomacisë/ Senatorja paraguajane sulmon me fyerje raciste Mbappén, reagim i ashpër nga Parisi

Një skandal i madh ka shpërthyer pas ndeshjes mes Francës dhe Paraguait në Kupën e Botës, ku protagoniste është bërë senatorja paraguajane Celeste Amarilla de Boccia, e cila ka bërë deklarata fyese dhe raciste ndaj kapitenit të Francës, Kylian Mbappé.
Në postime në rrjetin social X, senatorja ka përdorur gjuhë fyese dhe raciste ndaj sulmuesit francez, duke shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe në media ndërkombëtare.
Deklaratat e saj janë konsideruar si të papranueshme dhe kanë ndezur një valë kritikash, duke e kthyer situatën në një çështje me përmasa ndërkombëtare.
“Kjo egërsirë as nuk ka mësuar të shkruajë. Në vend të qumështit të nënës, ai ka thithur arrë kokosi, dhe qeniet më të arsimuara që ka dëgjuar ndonjëherë kanë qenë shimpanzetë. Duhet t’i kishe treguar gishtin e mesit, Orlando Gill (portieri i Paraguait). Unë e bëj në Senat dhe nuk ndodh asgjë!”
Sikur të mos mjaftonte kjo, politikania paraguaiane vazhdoi me një tjetër postim akoma më të rëndë: “Një kamerunas i kolonizuar, që shtiret si francez, i mbushur me mllef, i pasuruar rishtazi, arrogant dhe i shëmtuar. Ishte nervoz dhe i tmerruar gjatë gjithë ndeshjes, si e gjithë skuadra e tij. Nuk arritën dot të shënonin asnjë gol, fituan vetëm nga fati… E vetmja gjë që shumë prej nesh i vënë në dukje ‘Albirroja-s’ (kombëtares paraguaiane) është që nuk i dhanë një shpullë të mirë në fytyrë në fund të ndeshjes. Dhe unë as nuk jam tifoze futbolli.”
Ylli francez ka reaguar menjëherë ndaj fyerjeve, duke e cilësuar sjelljen e senatores si të papranueshme dhe të turpshme.
Ai ka theksuar se figura publike dhe politike nuk duhet të përhapin gjuhë urrejtjeje dhe racizmi.
: “Zonja Celeste Amarilla, ju jeni një grua e përçmuar, e padenjë për detyrën tuaj. Ju nuk e përfaqësoni Paraguain, këtë vend që rrezatoi pasion dhe nder gjatë gjithë turneut. Përmes pakujdesisë dhe racizmit tuaj të hapur, e gjithë bota ka harruar tashmë rrugëtimin historik dhe përpjekjet e lojtarëve tuaj, për t’i hapur rrugë një gruaje të paaftë që shfaq imazhin më të keq të vendit të saj. Nuk do t’u lejoj kurrë njerëzve si ju lirinë për të përhapur urrejtjen dhe racizmin në të gjithë botën.”
Skandali ka marrë edhe dimension institucional, pasi Ministrja e Sportit e Francës ka dënuar ashpër deklaratat e senatores paraguajane.
Sipas saj, sulmet ndaj Mbappé janë të “neveritshme dhe të papranueshme”, veçanërisht kur vijnë nga një përfaqësuese politike, duke theksuar se ato bien ndesh me vlerat e barazisë dhe respektit.
Këto komente janë të neveritshme, të turpshme dhe aq më tepër të papranueshme sepse vijnë nga një figurë politike. Duke sulmuar Kylian Mbappé, ajo po sulmon gjithçka që mishëron kapiteni ynë dhe gjithçka për të cilën përfaqëson vendi ynë: lirinë, barazinë dhe vëllazërinë.”
Kujtojmë që tensioni nisi që në fushë, ku Mbappé u godit me top në shpinë nga portieri paraguaian Orlando Gill pas vërshëllimës finale, ku ky i fundit deklaroi pas ndeshjes: “Ky është futbolli… topi mund të kalojë, por lojtari jo”. Mirëpo, ajo që dukej si një rivalitet i ashpër sportiv, tashmë ka kaluar në një skandal të rëndë ndërkombëtar racizmi.


