Ndeshja Spanjë-Portugali pa gola/ Lloci: Nëse shkon në shtesë, portugezët kanë epërsinë

Trajneri i notit Demokrat Lloci ishte i ftuar në emisionin “Ora e Botërorit” në Ora News, ku analizoi përballjen mes Spanjës dhe Portugalisë, një sfidë që deri në minutat e fundit mbeti e hapur dhe pa një fitues të qartë.

Lloci u ndal te ekuilibri i krijuar në fushë, duke u shprehur se pavarësisht pritshmërive për një paraqitje më dominuese të Spanjës, ndeshja po zhvillohej në kufijtë e barazisë dhe mund të vendosej nga detajet.

“Pritej shumë nga Spanja, por nga ajo që pamë në pjesën e parë, janë ndeshje të barabarta. Vendosin gabimet e vogla dhe është një sfidë për t’u parë e për t’u shijuar,” u shpreh Lloci në studio.

Me rezultatin 0-0 dhe minutat që po afroheshin drejt fundit të kohës së rregullt, trajneri i notit analizoi edhe mundësinë e një vazhdimi me shtesë, ku faktorët fizikë dhe eksperienca mund të bëjnë diferencën.

“Shtesa është një tjetër histori. Sportisti mund të rezistojë, por nëse shkon aty, mendoj se Portugalia është më e fortë. Ka më shumë eksperiencë në situata të tilla,” u shpreh ai.

Sipas Llocit, në një përballje kaq të balancuar, minutat shtesë mund të favorizojnë skuadrën që menaxhon më mirë presionin dhe lodhjen, ndërsa çdo gabim i vogël mund të vendosë fatin e ndeshjes.

 

EMISIONET