Skualifikimi i Gjermanisë/ Shameti: Lojtarët pa minutazh dhe stoli vendimtar në dështim
Ish-futbollisti Ylli Shameti ishte i ftuar në emisionin “Ora e Botërorit” në Ora News, ku komentoi eliminimin e papritur të Gjermanisë nga një ekip latin si Paraguaji, duke e cilësuar rezultatin si të papritur në raport me pritshmëritë për skuadrën gjermane.
Shameti vuri në dukje se kundërshtari e zhvilloi ndeshjen duke shfrytëzuar forcën fizike dhe organizimin në fushë, ndërsa Gjermania nuk arriti të shfaqte nivelin e zakonshëm të saj.
Sipas tij, një nga arsyet kryesore të ecurisë negative lidhet me formën e lojtarëve para turneut.
“E prisja më shumë nga Gjermania. Individualisht, shumë prej lojtarëve nuk kishin minutazhin e duhur në klubet e tyre dhe kjo u reflektua në performancë,”-tha ai.
Ai shtoi se kjo gjendje fizike dhe mungesa e ritmit në lojë ndikuan drejtpërdrejt në eliminim.
Në lidhje me kritikat që i janë bërë trajnerit Julian Nagelsmann, Shameti u ndal te përgjegjësia e stolit drejtues në kompeticione të tilla.
“Pesha kryesore bie te trajneri, te mënyra si e menaxhon grupin dhe si i vendos lojtarët në një turne të tillë,” u shpreh ai në diskutim.
Ai bëri edhe një krahasim me trajnerë të tjerë të suksesshëm, duke përmendur Didier Deschamps, të cilin e vlerësoi për aftësinë në menaxhimin e grupit dhe ruajtjen e ekuilibrit brenda skuadrës së Francës.


