"Messi po sfidon moshën"/ Shtrepi: Portugalia gaboi duke luajtur vetëm për Ronaldon

I ftuar në emisionin “Ora e Botërorit”, analisti sportiv Josel Shtrepi komentoi zhvillimet më të fundit të Kampionatit Botëror, duke u ndalur te paraqitjet e Argjentinës, Portugalisë dhe forma e jashtëzakonshme e disa prej yjeve më të mëdhenj të turneut.

Sipas tij, Argjentina ka qenë një nga skuadrat që ka surprizuar më shumë deri tani, ndërsa vëmendja kryesore mbetet te Lionel Messi, i cili po vazhdon të jetë vendimtar për ekipin e tij.

"Prisja një Argjentinë pak më të qetë, por kjo Argjentinë surprizon. Messi, vitet kalojnë dhe ai rinohet. Nuk e di se çfarë ndodh me biologjinë e tij. Ka bërë tre gola dhe është vërtet shumë interesant për t’u parë."-tha ai.

Shtrepi u ndal edhe te Kombëtarja e Portugalisë, për të cilën vlerësoi se loja ishte e orientuar kryesisht drejt Cristiano Ronaldos, gjë që sipas tij ndikoi edhe në rezultat.

"Shoh një Portugali që punon vetëm për Ronaldon. Mundohej të hynte në lojë nga krahët, por objektivi i vetëm ishte që të shënonte Ronaldo dhe mendoj se kjo e penalizoi për rezultatin kundër Kongos."-shtoi Shtrepi.

Në analizën e tij, ai vlerësoi edhe Erling Haaland, i cili po kalon një moment shumë të mirë në këtë Botëror. Me dy gola të shënuar dhe një rol vendimtar në lojën e skuadrës së tij, sulmuesi norvegjez po konfirmon statusin e një prej futbollistëve më të rëndësishëm të momentit.

Sipas Shtrepit, dinamika e ndeshjeve, surprizat e vazhdueshme dhe forma e yjeve kryesorë po e bëjnë këtë Botëror një nga më interesantët e viteve të fundit.

 

EMISIONET