Mbyllet edicioni i katërt i “Ekipeve Sportive në Shkolla” me Festivalin e Fëmijëve U10

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar njoftoi përmbylljen e edicionit të katërt të projektit “Ekipeve Sportive në Shkolla”, përmes organizimit të Festivaleve të Fëmijëve U10, që bashkuan qindra nxënës nga shkollat e qarkut të Tiranës në një aktivitet të dedikuar sportit dhe edukimit përmes lojës.
Në aktivitet morën pjesë fëmijë të angazhuar në disiplina të ndryshme sportive, ku përtej garës dhe rezultateve, fokusi kryesor ishte promovimi i vlerave të bashkëpunimit, respektit dhe jetës aktive.
Festivali u shndërrua në një festë sporti dhe socializimi për fëmijët, të cilët hodhën hapat e parë drejt angazhimit në aktivitete sportive dhe ndërtimit të një kulture të shëndetshme jetese.
“Energjia, gëzimi dhe entuziazmi i tyre treguan edhe një herë se sporti është një nga mjetet më të bukura për edukimin dhe socializimin e brezit të ri”, thuhet në njoftimin e KOKSH-it.
Programi “Ekipeve Sportive në Shkolla” synon të nxisë pjesëmarrjen e fëmijëve në sport dhe të promovojë edukimin fizik si pjesë të rëndësishme të zhvillimit të tyre social dhe shëndetësor.

