“Mbreti” i Botërorit! Tre statistikat që mbyllin përfundimisht debatin e lojtarit më të mirë në histori

Lionel Messi nuk njeh kufij kohorë dhe as limite fizike. Performanca e tij e fundit dhe tregolëshi magjik ndaj Algjerisë nuk janë thjesht një spektakël i radhës për sytë e tifozëve, por një rishkrim i plotë i historisë së Kampionateve Botërore.
Shifrat tregojnë një dominim absolut që sfidon ligjet e natyrës dhe lë në hije disa nga emrat më të mëdhenj të këtij sporti. Këtu janë statistikat “e çmendura” që vërtetojnë pse “Pleshti” qëndron i vetëm në majën e botës.
Klubi i ngushtë i “Pleqve” të Artë: Tripletë në moshën 38-vjeçare
Në historinë e gjatë të Kupës së Botës, të shënosh një tregolësh (hat-trick) është një arritje madhore, por ta bësh këtë pasi ke kaluar të 30-at është një privilegj për shumë pak vetë. Vetëm tre lojtarë kanë arritur këtë brag në histori. Messi e ka dërguar këtë rekord në një tjetër dimension, duke realizuar tripletë në moshën 38-vjeçare. Ai dominon këtë podium të veçantë duke lënë pas rivalin e tij historik, Cristiano Ronaldo (i cili shënoi ndaj Spanjës në moshën 33-vjeçare), dhe holandezin Rob Rensenbrink (ndaj Iranit në moshën 30-vjeçare).
Mbretërit e Golit: Në majën absolute të Kampionateve Botërore
Me dygolëshat dhe tripletat e tij të fundit, kapiteni i Argjentinës kapi majën duke u barazuar me rekordin absolut të gjermanit Miroslav Klose, me nga 16 gola secili. Përtej golave, argjentinasi vendos edhe një rekord absolut jetëgjatësie, duke luajtur Kampionatin e tij të 6-të Botëror.
Ja se si paraqitet elita e golashënuesve ndër vite:
Lionel Messi: 16 gola (në Botërorin e tij të 6-të, një rekord më vete).
Miroslav Klose: 16 gola (në 4 Kampionate Botërore: 2002, 2006, 2010, 2014).
Ronaldo Nazário (Fenomeni): 15 gola (në 4 Kampionate Botërore: 1994, 1998, 2002, 2006).
Gerd Müller: 14 gola (në vetëm 2 Kampionate Botërore: 1970 dhe 1974).
Kylian Mbappé: 14 gola (në 3 Kampionate Botërore: 2018, 2022 dhe aktualisht në atë të vitit 2026).
Statistika më absurde: Më i mirë si “veteran” se sa legjendat në të gjithë karrierën
Ndoshta e dhëna më e frikshme nga të gjitha është kjo: Lionel Messi ka shënuar plot 10 gola në Kampionatet Botërore pasi ka mbushur moshën 35-vjeçare. Kjo shifër e pabesueshme kalon numrin e golave që disa nga mitet e historisë së futbollit kanë shënuar gjatë gjithë karrierës së tyre në arenën më të madhe. Messi, vetëm në vitet e tij si veteran, ka shënuar më shumë gola se e gjithë karriera në Kupën e Botës e:
Cristiano Ronaldo: 8 gola
Diego Armando Maradona: 8 gola
Rivaldo: 8 gola
Harry Kane: 8 gola
Thierry Henry: 6 gola
Top Channel


