Mbappe nuk mendon për Messin: Jam i fokusuar vetëm te Franca

Ndërsa Lionel Messi vazhdon të shkruajë historinë në Kupën e Botës 2026, një nga rivalët e tij më të afërt në garën e golashënuesve, Kylian Mbappé, ka zgjedhur të mos përfshihet në krahasime individuale.
Pas dopietës së realizuar në fitoren 3-0 të Francës ndaj Irakut, sulmuesi francez u pyet sërish për garën me Messin, i cili me dy golat ndaj Austrisë u ngjit në krye të renditjes historike të golashënuesve në Kupat e Botës.
Megjithatë, Mbappé tregoi qetësi dhe maturi në përgjigjen e tij, duke theksuar se fokusi i tij mbetet vetëm te skuadra.
“Nëse do të përqendrohesha te ajo që bën Leo, do të më duhej të punoja edhe më shumë. Leo shënon gjithmonë. E ka bërë gjithmonë dhe do të vazhdojë ta bëjë. Por unë nuk e ndjek atë që bën ai. Nuk mendoj fare për këtë. Mendoj vetëm se si të ndihmoj ekipin tim”, deklaroi francezi.
Mbappé ka arritur tashmë në kuotën e 16 golave në Kupat e Botës, vetëm dy më pak se Messi, ndërsa ka barazuar rekordin e legjendës gjermane Miroslav Klose, i cili deri para këtij edicioni mbante vendin e parë në listën e golashënuesve historikë të kompeticionit.
Ndeshja ndaj Irakut kishte një rëndësi të veçantë edhe për karrierën e Mbappé-së, pasi ishte paraqitja e tij e 100-të me fanellën e Francës, një tjetër tregues i ndikimit që ai ka pasur në kombëtaren franceze pavarësisht moshës së re.


