Italia U17 në finalen e Europianit/ Mposht Spanjën me penallti, më 7 qershor sfidon Belgjikën

Italia U17 ka siguruar një vend në finalen e Kampionatit Europian, pasi mposhti Spanjën pas goditjeve të penalltive në gjysmëfinalen e zhvilluar në Talin të Estonisë.
Të rinjtë e drejtuar nga Daniele Franceschini zhvilluan një ndeshje të fortë ndaj një prej favoritëve të turneut. Italia kaloi në avantazh në minutën e 42-të me Kroçin, por spanjollët barazuan në minutën e 77-të me Urrestarazu, duke dërguar sfidën te penalltitë.
Heroi i mbrëmjes ishte portieri Kristian Lupo, i cili udhëhoqi italianët drejt kualifikimit. Të kaltrit realizuan të katër goditjet e tyre nga pika e bardhë, ndërsa Spanja gaboi dy herë, duke i dhënë fund ëndrrës së “Furive të Kuqe”.
Me këtë sukses, Italia U17 do të luajë për titullin europian dhe synon trofeun e dytë në tre vitet e fundit.
Në finalen e 7 qershorit, që do të zhvillohet po në Talin, italianët do të përballen me Belgjikën, e cila në gjysmëfinalen tjetër mposhti Francën me rezultatin 2-1.

