Humbi 1 milion dollarë në një natë, bastvënësi amerikan “digjet” nga fitorja e Anglisë

Një nga sfidat më emocionuese të Kupës së Botës 2026 nuk prodhoi vetëm spektakël në fushë, por edhe një humbje të madhe jashtë saj. Fitorja e Anglisë ndaj Meksikës me rezultatin 3-2 i kushtoi një bastvënësi në Nevada plot 1 milion dollarë.
Bastvënësi kishte vendosur një shumë të madhe parash që Meksika do të siguronte kualifikimin në fazën tjetër të turneut. Basti ishte ndarë në dy pjesë, me 750 mijë dollarë në një kuotë dhe 250 mijë dollarë në një tjetër.
Shanset dukeshin më të mira pas një pjese të parë të luftuar, por Anglia mori kontrollin e ndeshjes që herët. "Tre Luanët" kaluan në avantazh me dy gola të shpejtë nga Xhud Bellingham, i cili realizoi në minutat 36 dhe 38.
Meksika reagoi menjëherë përpara fundit të pjesës së parë. Hulian Kuinjones shënoi një gol spektakolar me goditje volej në minutën e 42-të, duke e mbyllur fraksionin e parë me rezultatin 2-1.
Në pjesën e dytë, situata u komplikua për Anglinë pas kartonit të kuq të Zharel Kuansah në minutën e 54-t. Pavarësisht se luanin me një lojtar më pak, anglezët arritën të shënonin sërish me Herri Kejn nga pika e bardhë në minutën e 60-të.
Meksika provoi të rikthehej në lojë dhe ngushtoi diferencën me anë të Raul Himenez, i cili realizoi një penallti pak minuta më vonë.
Megjithatë, Anglia rezistoi deri në fund dhe siguroi fitoren 3-2, duke kaluar në çerekfinale.
Eliminimi i Meksikës solli edhe fundin e shpresave për bastvënësin nga Nevada, i cili humbi 1 milion dollarë në një nga bastet më të mëdha të këtij Botërori.


