VIDEO/ Halaand "jashtëtokësor", s'ka histori në Manchester, Leipzig dorëzohet që në...dhomën e zhveshjes
Manchester City u bashkohet 5 skuadrave të tjera që kanë siguruar biletën e çerekfinaleve të Champions League. Kampionët e Anglisë shkatërruan 7-0 Leipzig falë rikthimit të Halaand protagonist me 5 gola. Mbrëmjen e tij e “prishën” Gundogan dhe De Bruyne me dy gola të tjerë që vulosën suksesin historik 7-0 për skuadrën e Pep Guardiolës.
Një ndeshje pa histori në Angli ku gjermanët e mbrojtën barazimin e ndeshjes së parë vetëm për pak minuta sepse ndeshja mori drejtim pa kthim me tre realizime të Halaand që në pjesën e parë. Ishte mbrëmja e norvegjezit që në moshën 22 vjeç e 236 ditë u bë lojtari i parë që ka shënuar 30 gola në Champions duke thyer rekordin e Mbappe por nuk u mjaftua me kaq "kanibali" norvegjez.
Edhe pse nuk ka mbushur ende 23 vjeç ai ka kaluar në klasifikimin Champions lojtarë si Kaka, Griezman, Eto'o apo Rooney ndërsa këtë mbrëmje shënoi golin e 39 sezonal në 36 ndeshje.
Në total në Champions numëron 33 gola në 25 ndeshje. Shifra të çmendura për sulmuesin norvegjez që merr ne shtëpi një top tjetër dhe i dhuron trajnerit Guardiola biletën çerekfinale të Champions League.
Mund të kishte thyer rekordin e Lionel Messit bomberi nordik pasi janë të vetmit me 5 gola brenda një ndeshjeje të Champions League, por Pep Guardiola vendosi ta nxirrte nga fusha e blertë duke mos ia dhënë këtë mundësi.