FOTO/ Elbasani feston traditën me aromën e Tavës, qyteti kthehet në destinacionin e shijeve autentike

FOTO/ Elbasani feston traditën me aromën e Tavës, qyteti kthehet

Aroma e Tavës së Elbasanit, muzika dhe atmosfera festive mbushën Sheshin Gensher, ku qindra qytetarë mes tyre edhe turistë u bënë pjesë e një prej aktiviteteve më të veçanta kushtuar traditës dhe kulinarisë shqiptare.

Me mbi 30 tava të përgatitura nga restorante dhe kuzhinierë të qytetit, performanca artistike, muzikë live dhe pjesëmarrjen e emrave më të njohur të gastronomisë shqiptare, Festa e Tavës e ktheu Elbasanin në kryeqendrën e shijeve autentike.

Që në orët e paradites, aktivitetet sollën atmosferë festive me koncerte, shfaqje artistike dhe argëtim për të gjitha moshat, ndërsa në mbrëmje sheshi u mbush me vizitorë që shijuan recetën më të famshme të qytetit dhe gatime të tjera tradicionale.

Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi se Tava e Elbasanit është një simbol i identitetit të qytetit dhe një traditë që duhet të ruhet e të promovohet me gjithë vlerën që mbart.
“Ne kemi një recetë të përcaktuar për Tavën e Elbasanit dhe duam t’i japim traditës atë që i takon. Ashtu siç kemi mbrojtur Ballokumen, jemi të vendosur të mbrojmë edhe simiten me bugaçe, Tavën e Elbasanit, tavën me pestil, tavën me kumbulla dhe gatimet e tjera tradicionale, në mënyrë që këto receta të mbeten unike dhe të mos deformohen me kalimin e kohës”, u shpreh Llatja.

Kryebashkiaku nënvizoi se promovimi i kulinarisë tradicionale është një mundësi e rëndësishme për zhvillimin e turizmit në Elbasan, duke e kthyer qytetin në një destinacion që vizitohet jo vetëm për historinë dhe kulturën, por edhe për shijet autentike.

“Turistët sot kërkojnë përvoja të vërteta, kërkojnë të njohin historinë, kulturën dhe traditat e një vendi. Kjo është një mundësi për Elbasanin që përmes kuzhinës tradicionale të promovojë vlerat e tij, të sjellë më shumë vizitorë dhe të krijojë një ofertë të veçantë turistike”, tha Llatja.

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela, vlerësoi Festën e Tavës si një model të promovimit të Shqipërisë përtej bregdetit.

Sipas saj, turizmi shqiptar po orientohet gjithnjë e më shumë drejt përvojave autentike, ku kulinaria tradicionale zë një vend të rëndësishëm.

“Elbasani po tregon se si një recetë tradicionale mund të kthehet në një arsye për të vizituar qytetin. Vizitorët nuk kërkojnë vetëm vende për të parë, por edhe histori për të përjetuar dhe shije për të provuar. Kjo është një nga pikat më të forta të ofertës turistike shqiptare dhe Festa e Tavës është një shembull i shkëlqyer i promovimit të traditës”, u shpreh Çela.

Atmosferës së festës iu bashkuan edhe shefat e njohur të kuzhinës Fundim Gjepali, Bledar Kola, Senad Perfati dhe Naim Bashmili, të cilët sollën eksperiencën e tyre në këtë aktivitet, ndërsa artistë të njohur, mes tyre Manjola Nallbani, krijuan një mbrëmje të veçantë me muzikë dhe emocione.

Mes aromës së tavave tradicionale, tingujve të muzikës dhe vizitorëve që mbushën Sheshin Gensher, Elbasani dëshmoi edhe një herë se tradita, kulinaria dhe mikpritja janë ndër vlerat më të çmuara të qytetit dhe një aset i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit.

EMISIONET