Euro U-19 për vajza/ Shqipëria merr triumfin e parë, mposht Qipron 3-0 në “Elbasan Arena”

Euro U-19 për vajza/ Shqipëria merr triumfin e parë, mposht

Shqipëria e vajzave U-19 fitoi me rezultatin 3-0 ndeshjen e parë ndaj Qipros, e vlefshme për raundin e dytë të Kampionatit Europian 2024.

Në takimin e luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”, vajzat kuqezi triumfuan me golat e Rexhina Maxhalakut, Era Methoxhës dhe Klesta Agos. 

Ndeshja nisi mirë për Shqipërinë që në startin e takimit.

Vajzat regjistruan disa raste të mira, ndërsa në të 26-ën ja dolën mbanë të gjenin rrugën e rrjetës me Klaudia Borcin, por goli u anulua për pozicion të parregullt.

Vetëm katër minuta më pas në të 30-të, vajzat kuqezi shënuan sërish.

Methoxha harkoi saktë nga goditja e këndit dhe mbrojtësja Rexhina Maxhalaku e dërgoi topin në rrjetë.

Edhe fraksioni i dytë nis mirë për nën 19 vjeçaret kuqezi, të cilat kërkojnë golin e dytë. 

 Goli i dytë vjen pak minuta me vonë, në të 53-tën. Klaudia Borci asiston për Era Methoxhën, me këtë të fundit që kontrollon topin, duke e dërguar në fundin e rrjetës qipriote, duke dyfishuar rezultatin për Shqipërinë.

Në minutën e 85-të, Klesta Ago realizon golin e qetësisë për Shqipërinë, pas asistit të Vesa Paçarizit, duke i çuar shifrat në 3-0.

3-0 është edhe rezultati final i ndeshjes së parë të Shqipërisë U-19 për vajza, që e nis mjaft mirë ndeshjet e raundit të dytë të Kampionatit Europian 2024 për këtë grupmoshe.

Në ndeshjen tjetër të grupit B6, Skocia mposhti Lihtenshtejnin me rezultatin 10-0.

Shqipëria U-19 e vajzave do të luajë ndeshjen e dytë të këtij raundi më 6 prill, ndaj Lihtenshtejnit në stadiumin ‘Elbasan Arena’ në ora 15:30.

EMISIONET