BOTËRORI 2026 – Miliona ndjekës, miliona fitime: A është fama në rrjetet sociale çelësi i pasurisë?

BOTËRORI 2026 – Miliona ndjekës, miliona fitime: A

Mjaftuan 90 minuta që Vozinha, portieri 40-vjeçar i Kepit të Gjelbër, të shndërrohej në një sensacion botëror në rrjetet sociale, duke numëruar në “Instagram”, më shumë ndjekës se legjenda e NFL-së, Tom Brady, shkruan BBC.

Paraqitja e shkëlqyer e Vozinha ndaj Spanjës, në fazën e grupeve të Kupës së Botës, i siguroi ekipit të tij një barazim 0-0, një rezultat surprizues përballë një prej favoritëve të turneut. 

Pas kësaj ndeshjeje, numri i ndjekësve të tij në “Instagram”, u rrit nga rreth 50 mijë në 17,4 milionë, duke lënë pas sportistë të njohur si Tom Brady, i cili ka 15,5 milionë ndjekës.

Yje të Botërorit si Vozinha mund ta shfrytëzojnë këtë popullaritet të ri në rrjetet sociale, për të krijuar mundësi fitimprurëse.

Megjithatë, eksperti i medias Mike Serazio paralajmëron se një sukses i tillë mund të jetë jetëshkurtër.

“Fenomenet virale shpërthejnë shumë shpejt, por edhe zbehen po aq shpejt”, tha ai.

Brooke Duffy, studiuese e mediave digjitale dhe rrjeteve sociale në Universitetin Cornell, tha se, influencerat me miliona ndjekës, mund të kërkojnë pagesa që kalojnë shifrën e qindra mijëra dollarëve.

Një prani e fortë në rrjetet sociale mund të sjellë bashkëpunime me marka të njohura dhe pagesa nga reklamuesit për postime të sponsorizuara.

“Ndjekësit janë një lloj monedhe me vlerë sot… sa më shumë ndjekës të kesh, aq më të mëdha janë gjasat për të siguruar të ardhura më të larta”, tha ajo.

Rrjetet sociale po krijojnë një mënyrë të re drejt famës

Tim Payne, mbrojtësi i Zelandës së Re, u cilësua nga një influencerat argjentinas si “futbollisti më pak i njohur” i Kupës së Botës para nisjes së turneut.

Valen Scarsini, i njohur në rrjetet sociale si “elscarso”, publikoi një video duke u bërë thirrje qindra mijëra ndjekësve të tij, që ta ndihmonin Payne të fitonte më shumë vëmendje.

Payne e përqafoi këtë valë popullariteti, duke publikuar më shumë përmbajtje dhe duke bashkëvepruar me influencerin.

Brenda pak ditësh, ndjekësit e tij në “Instagram” u rritën nga rreth 5 mijë në afro 6 milionë.

Vetë futbollisti theksoi se tashmë ka më shumë ndjekës sesa popullsia e vendit të tij, pasi Zelanda e Re ka pak më shumë se 5,3 milionë banorë.

Ndryshe nga rasti i Vozinha, fama e papritur e Payne nuk erdhi si rezultat i paraqitjeve të tij në fushë.

Sipas profesorit të Boston College, Mike Serazio, i cili studion marrëdhënien mes sportit dhe medias, ky është një fenomen që po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm.

“Gjatë pesë deri në dhjetë viteve të fundit kemi parë shfaqjen e sportistëve, që ndërtojnë famën pothuajse tërësisht mbi zhurmën në rrjetet sociale”, tha ai. 

“Popullariteti i tyre nuk është domosdoshmërisht në përpjesëtim me nivelin e tyre sportiv”, shtoi ai.

Serazio thekson se çdo futbollist që arrin të përfaqësojë kombëtaren e vendit të tij, është pa dyshim shumë i talentuar. Por, ndryshe nga e kaluara, nuk është më e domosdoshme të jesh ndër më të mirët në botë, për të marrë pjesë në reklama televizive apo për t’u bërë fytyrë e produkteve të njohura.

A do të zgjasë fama edhe pas Botërorit?

Sipas Serazios, klipet virale janë drejtimi, ku po shkon gjithnjë e më shumë mënyra se si publiku konsumon sportin.

“Nuk ka më aq rëndësi paraqitja gjatë gjithë ndeshjes, se sa krijimi i një momenti të veçantë, që mund të bëhet viral dhe të përhapet në rrjetet sociale”, tha ai.

“Momenti viral ka më shumë peshë. Ai po bëhet më i rëndësishëm sesa vetë ndeshja”, shtoi ai.

Megjithatë, pyetja mbetet nëse një futbollist që fiton miliona ndjekës, gjatë Kupës së Botës, a mund ta shndërrojë këtë popullaritet në një karrierë afatgjatë edhe jashtë fushës së blertë.

“Ke një dritare të shkurtër vëmendjeje”, tha Serazio. 

“Askush nuk e njihte portierin e Kepit të Gjelbër… dhe nuk jam i sigurt se njerëzit do ta kujtojnë edhe pasi të përfundojë Botërori”, tha ai,

“Messi, Ronaldo, Neymar apo Mbappe do të vazhdojnë të nënshkruajnë kontrata reklamash edhe pasi të tërhiqen nga futbolli”, shtoi ai. 

“Por ka shumë më pak raste të sportistëve që kanë pasur vetëm një moment të madh dhe kanë arritur ta kthejnë atë në sukses afatgjatë pas karrierës”, shtoi ai.

Një shembull i tillë është Ilona Maher, lojtarja amerikane e regbit, popullariteti i së cilës u rrit ndjeshëm gjatë Lojërave Olimpike të Parisit 2024.

Sot ajo ka podcast-in e saj, është ambasadore e disa markave, ka pozuar për revistën “Sports Illustrated”, zuri vendin e dytë në emisionin televiziv “Dancing with the Stars” dhe fitoi çmimin “Best Breakthrough Athlete” në ceremoninë “ESPY Awards 2025”. 

EMISIONET