Tragjedi në Rusi/ Foshnja 6-muajshe humb jetën nga mbetjet e një droni, lufta prek edhe civilët

Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës vijon të marrë jetë njerëzish edhe larg vijës së frontit. Një foshnjë gjashtëmuajshe humbi jetën në rajonin e Moskës pasi mbetjet e një droni të rrëzuar ranë mbi një banesë, ndërsa sulme të tjera u raportuan si në territorin rus ashtu edhe në Ukrainë.
Sipas autoriteteve ruse, ngjarja ndodhi gjatë natës në periferi të Moskës, ku mbetjet e një droni goditën një shtëpi private. Guvernatori i rajonit, Andrei Vorobyov, bëri me dije se foshnja u nxor e gjallë nga rrënojat së bashku me një fëmijë tjetër dhe dy të rritur, por humbi jetën gjatë transportit drejt spitalit.
Një tjetër viktimë u regjistrua në rajonin e Belgorodit, ku një person humbi jetën pas një sulmi me dron ukrainas. Ndërkohë, në rajonin e Tverit, një grua 61-vjeçare vdiq pasi mbetjet e një droni të rrëzuar ranë mbi banesën e saj.
Në të njëjtën kohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se forcat ukrainase kanë goditur për herë të dytë brenda një jave qendrën e komunikimit satelitor Dubna, në rajonin e Moskës. Sipas tij, objekti përdoret nga ushtria ruse për zbulim dhe koordinimin e operacioneve ushtarake në Ukrainë.
Edhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës konfirmoi se objekti ishte shënjestruar më herët gjatë javës. Nga ana tjetër, Kremlini nuk e ka konfirmuar sulmin ndaj kësaj qendre. Guvernatori Vorobyov njoftoi vetëm se një dron goditi një ndërtesë administrative në qytetin Dubna, pa raportime për viktima.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, bëri të ditur se sistemet ruse të mbrojtjes ajrore rrëzuan 419 dronë gjatë natës.
Sulmet vijuan edhe në Ukrainë. Autoritetet lokale raportuan se të paktën dy persona humbën jetën dhe 15 të tjerë mbetën të plagosur pas bombardimeve ruse në qytetin Zaporizhia. Sipas guvernatorit rajonal Ivan Fedorov, forcat ruse goditën qytetin me shtatë bomba të drejtuara brenda rreth 90 minutash, duke shkaktuar viktima dhe dëme në ndërtesa.


