Botërori 2026/ Dëmtimi i Karl hap një vend tek Gjermania, por jo për Grudën!

Dëmtimi i Lenart Karl ka tronditur kampin e Gjermanisë, me mesfushorin ofensiv që pritet të humbasë Botërorin 2026. Menjëherë pas lajmit kanë nisur diskutimet për futbollistin që do të zërë vendin e tij në skuadrën e drejtuar nga Julian Nagelsmann.
Mes emrave të përfolur ishte edhe Brajan Gruda, i cili luan në të njëjtin rol si Karl dhe prej kohësh konsiderohet një talent me potencial për kombëtaren gjermane. Megjithatë, mediat gjermane raportojnë se trajneri Nagelsmann ka zgjedhur një tjetër alternativë.
Sipas “Bild”, favoriti për të zëvendësuar Karl është Asan Ouedraogo. Mesfushori 20-vjeçar, i cili ka regjistruar vetëm një paraqitje me Gjermaninë, përfiton nga mungesa e Karl pavarësisht se kaloi një sezon të vështirë për shkak të dëmtimeve dhe minutave të kufizuara në Bundesligë.
Ky zhvillim shihet si një sinjal i qartë për Brajan Grudën. Futbollisti me origjinë shqiptare duket se nuk është pjesë e planeve aktuale të Nagelsmann, edhe në një moment kur është krijuar një hapësirë në repartin ofensiv të Gjermanisë.
Situata mund të rihapë diskutimet për të ardhmen ndërkombëtare të Grudës, me Shqipërinë që mbetet një alternativë e mundshme për 22-vjeçarin nëse ai vendos të ndryshojë drejtimin e karrierës së tij në nivel përfaqësuesesh.

