FOTO/ Dorjan Teliti: 35% e shqiptarëve nuk përballojnë dot qiranë dhe kostot bazë të jetesës

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Dorjan Teliti, ka reaguar ashpër përmes një postimi në rrjetet sociale, duke denoncuar situatën ekonomike në vend bazuar në shifrat më të fundit të Eurostat. Sipas Telitit, statistikat zyrtare europiane konfirmojnë se 35% e shqiptarëve nuk përballojnë dot pagesën e qirasë apo kostot bazë të jetesës.
Demokrati thekson se ndërsa qeveria flet për “suksese imagjinare”, realiteti i 1 në 3 qytetarëve është ankthi i përmuajshëm për të siguruar kulmin mbi kokë. Sipas tij, kjo situatë ka ardhur si pasojë e një modeli që u shërben vetëm oligarkëve dhe pastrimit të parave.
Teliti akuzon drejtpërdrejt “sektin qeverisës” se ka braktisur qytetarin e thjeshtë duke lejuar rritjen galopante të çmimeve të pronave dhe qirave.
“Rritën çmimet e pronave në qiell përmes pastrimit të parave dhe i çuan qiratë në nivele stratosferike, ndërkohë që 1/3 e vendit nuk siguron dot as minimumin jetik. Po përballemi me një krizë humanitare të fshehur pas dritave verbuese të fasadave!”, shprehet ai.
Në mbyllje të reagimit të tij, Teliti bën thirrje për një model ekonomik që punon për njerëzit dhe jo për klanet e pushtetit, duke kërkuar reagim qytetar ndaj asaj që ai e cilëson si dështim të qëllimshëm të qeverisë.


