Alarm para finales së Botërorit/ Moti i keq detyron Spanjën të shtyjë stërvitjen

Kombëtarja e Spanjës ka përballuar një pengesë të papritur vetëm pak ditë para finales së madhe të Kupës së Botës 2026.
“Furia e Kuqe” u detyrua të shtyjë seancën e fundit stërvitore në New Jersey për shkak të kushteve të këqija atmosferike dhe pranisë së rrufeve në zonë.
Stërvitja ishte planifikuar të zhvillohej në orën 11:00 në Whippany, por organizatorët aktivizuan protokollin e sigurisë dhe kërkuan largimin e gazetarëve nga fusha derisa situata të stabilizohej.
Sipas rregullave të turneut, çdo aktivitet sportiv pezullohet nëse rrufetë regjistrohen brenda një rrezeje prej rreth 13 kilometrash. Kontrolli i kushteve të motit bëhet çdo 30 minuta dhe stërvitjet rifillojnë vetëm pas miratimit të autoriteteve.
Spanja e shtyu fillimisht seancën për në orën 11:30, ndërsa nuk përjashtohet një vonesë tjetër nëse moti vazhdon të jetë problematik.
Edhe Argjentina mund të përballet me të njëjtën situatë, pasi kampionët e botës kishin planifikuar stërvitjen në Morristown, pranë zonës ku u ndikua Spanja.
Përveç stuhive, ekipet janë përballur gjatë javës edhe me temperatura të larta dhe cilësi të dobët të ajrit për shkak të tymit nga zjarret në Kanada.
Megjithatë, finalja e shumëpritur mes Spanjës dhe Argjentinës mbetet e programuar të zhvillohet të dielën në stadiumin “MetLife”.



