Kryebashkiaku i Nju Jorkut sfidon Netanyahun: Po shqyrtojmë mundësinë e arrestimit nëse vjen në qytet

Kryebashkiaku i Nju Jorkut sfidon Netanyahun: Po shqyrtojmë

Kryebashkiaku i ri i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, ka deklaruar se po shqyrton mundësitë ligjore për zbatimin e urdhrit të arrestimit të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, nëse ai udhëton në qytet për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Në një intervistë për “New York Times”, Mamdani tha se beson se Netanyahu duhet të përballet me drejtësinë në Hagë, duke e cilësuar atë si një lider të akuzuar për krime lufte nga GJPN-ja.

“Besoj se kryeministri Netanyahu duhet të gjykohet në Hagë”, deklaroi Mamdani, duke shtuar se zyra e tij po konsultohet me ekspertë ligjorë për të përcaktuar nëse ka kompetenca për një veprim të tillë.

Netanyahu dhe ish-ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, përballen me akuza nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit lidhur me luftën në Gaza pas sulmeve të 7 tetorit 2023.

Megjithatë, zbatimi i një urdhri të tillë në territorin amerikan përballet me pengesa të mëdha ligjore. Shtetet e Bashkuara nuk e kanë ratifikuar traktatin themelues të GJPN-së dhe nuk janë të detyruara të zbatojnë vendimet e saj.

Qëndrimi i Mamdanit bie ndesh me politikën e administratës së Donald Trump, e cila e ka kundërshtuar urdhrin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe ka shprehur mbështetje për Netanyahun.

Çështja pritet të rikthehet në qendër të vëmendjes në shtator, kur liderët botërorë do të mblidhen në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

 

EMISIONET