Bujar Muli 'çmend' Guinness-in, Kosova regjistron rekord të ri botëror (FOTO)

Sportisti kosovar Bujar Muli ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm duke hyrë në Librin e Rekordeve Guinness, pasi ka realizuar një sfidë të rrallë force duke mbajtur mbi trup një peshë prej 2 mijë kilogramësh.
Rekordi u tentua në sallën e sportit “Jeton Tërstena” në Vushtrri, në praninë e jurisë zyrtare të Guinness World Records, e cila e vlerësoi arritjen si një demonstrim të jashtëzakonshëm të forcës fizike dhe qëndrueshmërisë mendore.
Përfaqësuesi i Guinness-it e cilësoi performancën si një moment të veçantë, duke theksuar se sfida kërkonte jo vetëm fuqi fizike, por edhe përgatitje të madhe psikologjike.
Pas suksesit, Bujar Muli u shpreh krenar për arritjen, duke theksuar se pas shumë vitesh pune, sakrificash dhe përballjesh me dëmtime, ia doli të finalizojë rekordin botëror.

“Ky është një çmim shumë i vlefshëm pas shumë sakrificave dhe ushtrimeve. Arritëm ta kurorëzojmë me një rekord prej 2000 kilogramësh, diçka që deri më sot nuk e kishte bërë askush”, deklaroi Muli.
Sportisti kosovar tha se ndihet krenar që për herë të dytë ka arritur ta përfaqësojë Kosovën në Librin e Guinness-it, duke e cilësuar këtë sukses si një arritje për të gjithë vendin.
Ai bëri thirrje për më shumë mbështetje ndaj sportistëve kosovarë, duke theksuar se talenti dhe potenciali ekzistojnë, por kërkojnë më shumë përkrahje institucionale.
Rekordi u përshëndet edhe nga kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, i cili e vlerësoi suksesin e Mulit si një moment të rëndësishëm për qytetin dhe Kosovën.
Arritja e Bujar Mulit u ndoq nga shumë qytetarë, të cilët ishin të pranishëm në sallën sportive për të dëshmuar momentin historik.


