Advocaat pas humbjes 7-1 ndaj Gjermanisë: Nuk është turp të humbasësh kundër një rivali kaq të fortë

Trajneri i përfaqësueses së Kurasaos, Dick Advocaat, ka minimizuar peshën e humbjes së thellë 7-1 ndaj Gjermanisë në ndeshjen debutuese të ekipit të tij në Kupën e Botës, duke theksuar diferencën e madhe në cilësi dhe potencial mes dy skuadrave.
Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, tekniku holandez 78-vjeçar deklaroi se nuk ka arsye për turp pas një rezultati të tillë përballë një prej kombëtareve më të forta në botë.
“Nuk ka asgjë për t’u turpëruar kur humbet ndaj një skuadre të këtij niveli. Vlera e kombëtares gjermane është rreth 850 milionë euro, ndërsa ajo e Curaçaos rreth 25 milionë euro”, u shpreh Advocaat.
Ai pranoi se kundërshtarët ishin dukshëm superiorë dhe se skuadra e tij ua lehtësoi punën në disa raste.
“Gjermania ishte thjesht shumë e fortë për ne. Për më tepër, u dhuruam disa gola të lehtë. Sigurisht që 7-1 është një rezultat i rëndë, por duhet të sigurohemi që askush të mos demoralizohet. Nuk jam shumë i shqetësuar për këtë”, shtoi ai.
Pavarësisht humbjes së thellë, Advocaat vlerësoi arritjen historike të kualifikimit në Botëror, duke e cilësuar atë si një sukses të jashtëzakonshëm për vendin karaibik.
“Ajo që kemi bërë për t’u kualifikuar këtu është tashmë diçka e pabesueshme dhe duhet ta kujtojmë këtë.
Tani synimi ynë është të zhvillojmë një turne sa më dinjitoz. Edhe nëse nuk arrijmë të bëjmë ndonjë surprizë në ndeshjet e ardhshme, do të jemi krenarë që morëm pjesë në ngjarjen më të madhe të futbollit botëror”, përfundoi trajneri i Kurasaos.


