Policia mësyn Gjykatën e Krujës: Arrestohet gjyqtarja Enkelejda Hoxha, avokati e 8 të tjerë
Gjykata e Krujës është tronditur paraditen e sotme kur policia ka shkuar për të kryer disa arrestime dhe sekuestrim të dosjeve.
Gjyqtarja Enkeleida Hoxha e njohur për lirimin para kohe me kusht të shumë emrave të njohur të botës së krimit u arrestua në sallën e gjyqit në momentin që do të merrte një tjetër vendim për lirimin nga qelia të një të dënuari me 25 vite burg.
Mësohet se Hoxha do të lironte Sajmir Petani i ekstraduar nga Italia për vrasjen e Romeo Beqirit disa vite më parë. Për këtë të dënuar gjyqtarja kishte marrë vendime për ulje dënimi edhe më parë.

SPAK ishte vënë në dijeni dhe kishte vendosur në përgjim ambiental dhe telefonik personat e përfshirë. Mes të arrestuarve është dhe vëllai i tij Bledar Petani, avokati i Sajmirit Aldo Tabaku.
Operacioni është ndërmarrë pas një hetimi disamujor ku SPAK deklaron se u grumbulluan prova të nevojshme "të cilat krijuan dyshimin e arsyeshëm se jemi para veprave penale të korrupsionit në sistemin e drejtësisë, si dhe në atë të shëndetësisë."
Bëhet fjalë për arrestimin e gjyqtares Enkeleida Hoxha, sekretares Manuela Mallakuçi, avokatit Aldo Tabaku dhe Shkëlqim Korbi ekspert psikiatriko – ligjor pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore.
SPAK thotë se në skemë është përfshirë edhe shefi i kardiokirurgjisë në QSUT, Edvin Prifti. Ndaj këtij të fundit gjykata ka vendosur pezullimin e ushtrimit të detyrës.
Ekskluzive Dosja e Krujës: Të dënuarit – avokati – gjyqtarja, skema si përfitohej ulja e dënimit kundrejt 6- 12 mijë euro
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.14 datë 10.02.2021 ka caktuar masat e sigurimit arrest në burg për shtetasit:
1- Enkeleida Hoxha, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, e dyshuar për veprën penale penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319/ç dhe 25 të Kodit Penal;
2- Aldo Tabaku, avokat në dhomën e avokatisë Krujë, i dyshuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i dytë dhe 319/ç të Kodit Penal.
3- Manuela Mallakuçi, sekretare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, e dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 319/ç dhe 244 të Kodit Penal;
4- Shkëlqim Korbi, ekspert psikiatriko – ligjor pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, i dyshuar për veprën penale “Ekspertim i rremë”, parashikuar nga neni 309/2 i Kodit Penal;
5- Sajmir Petani, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;
6- Bledar Petani, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyëqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;
7 - Altin Skëndaj, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;
8- Gazmir Nezaj, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëëpunim, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe 25 të Kodit Penal.
9- Gentjan Nezaj, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëëpunim, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe 25 të Kodit Penal.
10- Isuf Tanuzi, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe 25 të Kodit Penal.
Dosja e korrupsionit në drejtësi
Gjithashtu SPAK mëson se gjatë hetimit të këtij procedimi penal është evidentuar edhe një rast korrupsioni në shëndetësi dhe në lidhje me këtë rast Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me vendimin nr.14 datë 10.02.2021 ka vendosur caktimin e masës së sigurimit ndaj disa shtetasve.
Edvin Prifti, mjek kardiokirurg në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” Tiranë. Ndaj tij është dhënë masë sigurie pezullimi i ushtrimit të detyrës, I dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv I personave që ushtrojnë funksione publike”
Trëndafile Frangu, infermiere në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë. Ndaj saj është dhënë masë sigurie pezullimi i ushtrimit të detyrës, e dyshuar për veprën penale “Ushtrim I ndikimit të paligjshëm të funksionarëve publikë”
Migena Skënderi, masë sigurie detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore. E dyshuar për veprën penale “Ushtrim I ndikimit të paligjshëm të funksionarëve publikë”
Arrestimet dhe kontrollet
Arrestimet e tyre janë kryer më 11 shkurt 2021 ndërkohë që Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë më 10 shkurt.
Gjithashtu janë ushtruar kontrolle mbi 16 banesa dhe zyra të subjekteve të hetuara meqëllim gjetjen dhe sekuestrimin e provave materiale.
Hetimet e këtij procedimi penal do të vijojnë me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave dhe dërgimin për gjykim të të gjithë të hetuarve në Gjykatën e Shkallës së Parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Pezullohet puna në gjykate
Sot puna në gjykatën e Krujës, është pezulluar totalisht për shkak të arrestimeve të punonjësve të këtij dikasteri.
ILD kerkoi shkarkimin e gjyqtares
Hoxha, momentalisht është në hetim administratim nga KLGJ, pasi Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, ka kërkuar shkarkimin e saj nga detyra për shkak të vendimeve scandalize të lirimit nga burgu të Hekuran Billës, Endrit Dokles i dënuar me burgim të përjetshëm dhe disa personave të tjerë.
Gjithashtu Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka kërkuar ushtrimin e ndjekjes penale ndaj gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, znj.Enkelejda Hoxha.

