Studim: Kujtesa në punë dhe përqendrimi mund të përmirësohen me ushtrime mendore!

Studim: Kujtesa në punë dhe përqendrimi mund të

Kujtesa e punës, përqendrimi dhe aftësia për përpunimin e informacionit mund të zhvillohen përmes ushtrimeve të rregullta mendore, sipas studiuesve.

Lidhja mes inteligjencës dhe kujtesës së punës ka qenë prej dekadash në fokus të psikologëve dhe neurologëve. Ndërsa më herët mendohej se inteligjenca ishte kryesisht e lindur dhe e pandryshueshme, kërkimet e fundit sugjerojnë se disa aftësi njohëse mund të përmirësohen edhe në moshë të rritur.

Sipas studimeve, ushtrimet mendore nuk ndikojnë vetëm në kujtesën afatshkurtër, por mund të ndihmojnë edhe në përmirësimin e përqendrimit, zgjidhjes së problemeve dhe efikasitetit mendor.

Ekspertët shpjegojnë se kujtesa e punës është një sistem aktiv që ruan dhe përpunon informacionin në kohë reale, duke luajtur rol kyç në të mësuar, planifikim dhe vendimmarrje.

Ajo lidhet ngushtë me inteligjencën fluide, e cila përfaqëson aftësinë për t’u përshtatur në situata të reja dhe për të zgjidhur probleme pa u mbështetur vetëm në përvojën e mëparshme. Ndërkohë, inteligjenca e kristalizuar bazohet në njohuritë e fituara gjatë jetës.

Hulumtimet e realizuara nga studiuesit John Jonides, Susanne Jaeggi dhe Martin Buschkuehl tregojnë se trajnimi sistematik i kujtesës së punës mund të sjellë përmirësime edhe në aftësi më komplekse njohëse.

Në një nga eksperimentet, pjesëmarrësit kryen ushtrimin “n-back”, ku duhej të identifikonin nëse një stimul përputhej me atë të shfaqur disa hapa më parë. Rezultatet treguan se sa më intensiv të ishte trajnimi, aq më të mëdha ishin përmirësimet në testet njohëse.

Sipas studiuesve, ky efekt lidhet me neuroplasticitetin, aftësinë e trurit për të krijuar lidhje të reja dhe për t’u përshtatur gjatë gjithë jetës.

Ekspertët theksojnë se trajnimi i kujtesës së punës ndihmon jo vetëm në ruajtjen e informacionit, por edhe në përmirësimin e vëmendjes dhe kontrollit mendor.

Edhe ushtrime të thjeshta mund të ndihmojnë, si për shembull përdorimi i letrave për të ushtruar kujtesën duke kujtuar elemente të shfaqura disa hapa më parë.

Studiuesit theksojnë se trajnimi mendor nuk është zgjidhje e menjëhershme, por një proces i vazhdueshëm që ndihmon në ruajtjen e shëndetit njohës, ashtu si aktiviteti fizik për trupin.

EMISIONET