Sulme të reja në Ukrainë/ Viktima dhe dëme në infrastrukturë civile në rajonin e Sumy dhe Kharkiv

Sulme të reja në Ukrainë/ Viktima dhe dëme në

Rusia ka vijuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës gjatë natës, duke shkaktuar viktima dhe dëme të konsiderueshme në infrastrukturën civile në disa rajone të vendit.

Në rajonin e Sumy, një dron rus goditi një ndërtesë banimi gjatë natës, duke vrarë katër persona, mes tyre një vajzë 20 muajshe, si dhe duke plagosur tre të tjerë. Autoritetet lokale raportojnë se ndërhyrja e shpejtë e ekipeve të emergjencës ka vijuar gjatë gjithë mëngjesit për të nxjerrë të mbijetuarit nga rrënojat.

Ndërkohë, në rajonin e Kharkiv, një tjetër sulm me dron goditi disa banesa në qytetin e Lozovës, duke plagosur gjashtë anëtarë të së njëjtës familje. Mes të plagosurve janë edhe tre fëmijë, ndërsa një vajzë 10-vjeçare ndodhet në gjendje kritike në spital.

Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, gjatë natës janë lëshuar gjithsej dy raketa dhe 105 dronë me rreze të gjatë veprimi. Mbrojtja ajrore ukrainase ka arritur të rrëzojë ose të neutralizojë pjesën më të madhe të tyre, por disa prej mjeteve kanë goditur objektiva në 16 zona të ndryshme.

Kjo shënon natën e dytë radhazi të sulmeve intensive, pas një tjetër vale bombardimesh një ditë më parë, ku u raportuan dhjetëra viktima dhe të plagosur.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se këto sulme tregojnë qartë shënjestrimin e infrastrukturës civile dhe ka kërkuar nga aleatët ndërkombëtarë furnizim më të shpejtë me sisteme të mbrojtjes ajrore dhe raketore.

EMISIONET