Inspektimet e AUV-së çojnë në pezullim të përkohshëm të aktivitetit në fabrikën e qumështit “Vita” në Istog

Inspektimet e AUV-së çojnë në pezullim të

Fabrika e qumështit “Vita” në Istog është përfshirë në një situatë tensioni pas inspektimeve të kryera nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), të cilat kanë çuar në diskutime institucionale dhe vendim për ndërprerje të përkohshme të aktivitetit të saj.

Sipas AUV-së, kontrollet janë ndërmarrë në kuadër të verifikimeve të rregullta dhe marrjes së mostrave, pas uljes së prodhimit të qumështit nga kompania që nga 1 korriku, me arsyetimin e mungesës së tregut. Autoriteti thekson se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar për mbyllje, pasi priten rezultatet laboratorike dhe vlerësimi i plotë i gjetjeve.

Gjatë inspektimeve, sipas njoftimit të AUV-së, janë konstatuar disa mospërputhje me legjislacionin në fuqi. Ndër të tjera, është evidentuar se në objekt përpunoheshin produkte me bazë yndyrash bimore dhe proteina qumështi, përfshirë përdorimin e qumështit pluhur dhe vajit të palmës, pa autorizim të veçantë për këto procese dhe produkte të deklaruara në etiketim.

Gjithashtu, kompania raportohet se disponon sasi të konsiderueshme lëndësh të para dhe produkte të gatshme si qumësht UHT, qumësht pluhur dhe hirrë qumështi, elemente që sipas autoriteteve kërkojnë verifikime të mëtejshme.

Nga ana tjetër, drejtues të kompanisë kanë kundërshtuar mënyrën e zhvillimit të inspektimeve, duke pretenduar se ato janë ndërmarrë me vendim të ministrisë së Bujqësisë në detyrë, Armend Muja. Drejtori i përgjithshëm i “Vita”-s, Artan Spahia, ka akuzuar institucionet për trajtim të padrejtë të kompanisë, duke e cilësuar situatën si selektive dhe të padrejtë.

Ministri Muja është përgjigjur duke theksuar se kontrollet e AUV-së janë pjesë e mandatit ligjor për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit. Sipas tij, zbatimi i ligjit duhet të jetë i barabartë për të gjitha subjektet dhe qytetarët kanë të drejtë të dinë se çfarë konsumojnë.

Rasti vjen në një periudhë kur Ministria e Bujqësisë ka ndërmarrë masa të reja në sektorin e qumështit, përfshirë rregullime në etiketim dhe kategorizim të produkteve, si dhe vendosjen e akcizës për qumështin pluhur, masa që synojnë mbrojtjen e prodhimit vendor dhe rregullimin e tregut të produkteve të qumështit./Shqiptarja.com

 

EMISIONET