Aeroporte "për të tërë", harrohen afatet kohore, PS premton tre pista të tjera
Aeroportet janë një nga pikat kryesore përmes të cilave socialistët kërkojnë të marrin vota. Kryministri Rama ka deklaruar se brenda mandatit të tretë do përfundojnë 4 aeroporte të tjera edhe pse ato në Kukës e Vlorë u premtuan disa vite me radhë dhe u ndeshën me shtyrje afatesh e pezullime.
"Së shpejti do të hapim garën për aeroportin e Sarandës. Kemi ambicie që në përfundim të mandatit të 3 të kemi 4 aeroporte në Shqipëri. Aeroporti i Kukësit është gati për pak javë. Pastaj do të kemi nevojë për dokumentet e certifikimit ndërkombëtar që janë të domosdoshme për çdo aeroport që kalon në një fazë testi që kalon përpara se të marrë certifikimin përfundimtare nga IKAO. Aeroporti i Tiranës që falë ndryshimit të pronës, do të fillojë në javët në vijim investime të rëndësishme për zgjatjen e pistës për terminalin e ri duke ulur çmimet shumë të larta që kanë mërzitur njerëzit që vejnë dhe vijnë. Aeroporti i Vlorës dhje i Sarandës. Këto janë gjërat më të përgjithshme".
Në fund të mandatit të dytë dhe një muaj para zgjedhjeve, Kryeministri nuk i ka kursyer premtimet për investime madhore në Shqipëri.
Deklarata më e fundit për aeroportet është bërë këtë të enjte në Vlorë.
Por duhet thënë se ky premtim së pari ka nisur në fushatën e vitit 2017.
Në fushatën zgjedhore të vitit 2017, aeroporti i Kukësit ishte një ndër projektet përmes të cilit Rama kërkoi të siguronte votat u premtua hapja e tij një vit më pas.
"Aeroporti i Kukësit ka mundësi, ka potencialin, ne e kemi bërë të gjithë studimin dhe e kemi nisur procedurën dhe jam shumë optimist që në vjeshtë aeroporti do të jetë operativ, jam shumë optimist që për festat e fundvitit kuksianët që do të vijnë nga jashtë në shtëpi do të vijnë përmes këtij aeroporti."
Sërish, gjithçka mbeti vetëm në fjalë. Fituesi i këtij koncesioni u shpall në janar të vitit 2019 dhe ndërkohë që jemi në vitin 2021, punimet ende vijojnë.
Me pompozitet pak ditë më parë minisrja Belinda Balluku deklaroi inspektimin e punimeve dhe rezistencën e pistës.
Në mënyrë absurde Balluku e deklaroi sukses edhe pse avioni nuk u ul asnjëherë në aeroport.
Nuk ishte vetëm Kukësi me procedura të stërzgjatura, edhe koncesioni për aeroportin e Vlorës u ndesh me disa shtyrje dhe pezullime.
Në janar të vitit 2018 ishte, Damian Gjiknuri, që premtoi aeroportin e Vlorës. Por me ndryshimin e ministrave dhe emërimin e Ballukut gjithçka mbeti pezull.
Vetëm në 5 mars 2021 epopeja e tenderit të aeroportit të Vlorës u mbyll duke u shpallur fitues gjiganti i Behgjet Pacollit.
Edhe për Sarandën e Korçën nuk është premtimi i parë, por duket se me afrimin e zgjedhjeve, gjithçka është kthyer kap ça të kapësh, kjo për votat.
