Gjatë intervistës së tij për Politik On në RTV Ora, kryeministri Edi Rama foli edhe për lëvizjen studentore të vitit ’90 dhe pse nuk u anëtarësua në Partinë Demokratike.

Sipas Ramës, zgjodhi të ishte në PS pasi në PD e kishin zënë rradhën komunistët.

Edi Rama: “Kishin anonçuar Partinë Demokratike dhe nuk e harron atë skenë. Saliu ishte në këmbë atje, me atë pardesynë si ato të valleve të shpatave. Dhe mbante një fjalim për huliganët e Shkodrës. Sepse disa të rinj në Shkodër kishin thyer xhamat e dyqaneve në Shkodër. Ky mbajti një fjalim për huliganët. Në fakt nuk ishte fjalim, ishte teksti që do nxirrte partia e sapoformuar për të mbajtur një fjalim për huliganët dhe ishte e njëjta gjuhë si e Ramiz Alisë. Dhe unë i thashë: Më falni, ku jam unë këtu?! Ku jam këtu se s’po e kuptoj, çfarë është kjo? Si mund ti quani huliganë siç i quan Ramiz Alia?!.

Alfred Lela: Ikët nga konteksti i Ramiz Alisë dhe shkuat në partinë e Ramiz Alisë… në 2000-në…

Edi Rama: Po natyrisht. Se, e para nuk ishte ajo që kishte lënë Ramizi dhe e dyta, në partinë ku më takonte të isha e kishte zënë rrugën një rradhë e gjatë komunistash me Saliun në krye.