Dosja “Revanshi”, Gjykata e Posaçme dënon 5 anëtarë të grupit kriminal

Fraksion i dosjes “Revanshi”, Gjykata e Posaçme dënon 5 anëtarë të grupit kriminal.
Adrian Pikli - ish efektiv i forcave speciale RENEA dhe Devis Bajramaj u dënuan me 10 vite burg secili, dënim që u reduktua në 6.8 me gjykim të shkurtuar.
Elvis Ndreca, djali i xhaxhait të ish-ish deputetit socialist Eduard Ndreca, dhe Edison Muçeku u dënuan secili me 8 vite burg, 5.4 me gjykim të shkurtuar.
Armando Ndreca me 11 vite burg, 7.4 me gjykim të shkurtuar.
Anëtarët e këtij grupi u shpallën fajtorë për disa vepra penale, duke nisur nga kultivimi i bimëve narkotike, armëmbajtje pa leje e sigurim kushtesh për të kryer vrasje.
Dosja e SPAK dhe akuzat respektive
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, provohet se:
04.11.2020, Ura e Tapizës, Fushë Krujë – Albert Zaja dhe persona të tjerë tentuan të vrisnin me armë zjarri shtetasit Durim Bami dhe Ervin Kodra.
Maj–korrik 2020 – Albert Zaja dhe Edison Muceku siguruan mjetet për vrasjen e shtetasit Hamza Terziu.
Korrik–gusht 2020 – Elvis Ndreca siguroi mjetet për vrasjen e shtetasit Durim Bami.
Tetor 2020 – Armando Ndreca organizoi dhe financoi grupin që prodhoi dhe shiti 243 kg kanabis në Lezhë.
2020–2021 – Deivis Bajramaj dhe Adrian Pikli u përfshinë në tregtinë e paligjshme të armëve dhe municioneve, duke i shitur edhe personave me precedent penal.

