Kryeministri Edi Rama gjatë sesionit të ri parlamentar, foli edhe për rifillimin e negociatave për detin me Greqinë.

Rama u shpreh se ata që e lëshuan detin, po e mbrojnë sot.

Sipas tij, kreu i opozitës, atëherë Ministër i Jashtëm, e firmosi marrëveshjen në 2009, me buzëqeshjen më të gjatë që kishte parë ndonjëherë.

Edi Rama: ”Negociatat bëhen nga persona të autorizuar, jo me biseda varkash. Nëse arrihej një konkluzion, paraqitet te autoritetet, nëse qeveria e firmos, ka një autoritet tjetër që e gjykon këtë marrëveshje, që është Presidenti i Republikës, i cili nuk e di sepse është futur në këtë mbrojtje të detit, kur e di shumë mirë që po nuk erdhi deti te ai, askush nuk ka çfarë i bën detit. Pastaj është Gjykata Kushtetuese dhe parlamenti i Shqipërisë. Ata që realisht e lëshuan detin, sot po e mbrojnë. Ilir Meta. Sali Berisha, Lulzim Basha, bënë marrëveshjen më të gabuar për Shqipërinë. – Monika në atë kohë nuk kishte lopata kishte vetëm varkën se lopatat i kishte Iliri, nuk mund ta përfshij –

E bënë në rrugë zyrtare, me firma e vula. E firmosi me buzëqeshjen më të gjatë që kam parë ndonjëherë, vetë Lulzim Basha kur ishte Ministër i Jashtëm.”

Rama tha se deti nuk mund të lëshohet, dhe se nuk është materie që mund të ndahet, siç ndante LSI tenderat për ARRSH.

Edi Rama: ”Dëgjova njërin këtu që tha nuk e lëshojmë detin ne. Ishte me maskë, dhe nuk e lidha zërin me figurën. E para, edhe po të duash ti ta lëshosh nuk e lëshon dot. Nuk ke asnjë mundësi. E dyta, kushdo që do donte ta lëshonte, nuk e lëshon dot.

E treta, mos u bëni kaq qesharakë dhe të poshtër, se ata që i fryjnë këtij zjarri, e dinë shumë mirë se këtu nuk ka asgjë të vërtetë por në vend se të punojnë për popullin, duan ta përdorin popullin, duan ta përdorin, për ndonjë votë, kap ça t’kapësh.

Ça deti po mbroni? Keni konstatuar ndonjë zbythje të detit drejt Greqisë? Deti aty është, nuk ka lëvizur. Nuk është as deti, as toka dhe ajri, një materie që mund të negociohet dhe mund të ndahet, siç ndaheshin tenderat kur LSI drejtonte ARRSH.”

Pritet që së shpejti, Ministri i Jashtëm grek, të vizitojë Tiranën për të rinisur bisedimet.

Lexoni fjalimet që u mbajtën në sesionin e ri parlamentar.